
Ishte një ritakim mes një princi dhe një presidenti, këtë herë në Kanada. Princi Harry i Mbretërisë së Bashkuar mori me vete disa miq të famshëm në edicionin e këtij vitit të lojërave Invictus, në Toronto.
Ai u fotografua teksa bisedonte dhe qeshte me ish kreun e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama, i shoqëruar nga ish zëvendës presidenti Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill.
“Krenar që po bëj tifo për ekipin amerikan në lojërat Invictus, bashkë me mikun tim Joe”, shkruaji më vonë Obama në një postim në Twitter. Javën e kaluar Melania Trump drejtoi delegacionin amerikan në ceremoninë e hapjes së aktivitetit, në udhëtimin e saj të parë solo, si zonjë e parë. Harry, një veteran ushtarak, themeloi lojërat Invictus 3 vite më parë.
Aktiviteti zhvillohet në qytete të ndryshme çdo vit dhe ofron një platformë sportive ndërkombëtare për ish pjesëtarët e plagosur apo të gjymtuar të ushtrisë. Synimi i princit ishte të rriste ndërgjegjësim global për ushtarët e plagosur në luftë.
Qindra pjesëmarrës garojnë në aktivitete të tilla si not, çiklizëm, basketboll në karrige me rrota apo regbi. Edicioni i vitit të kaluar në Orlando fitoi një bujë të jashtëzakonshme, pasi atëherë presidenti Obama dhe gruaja e tij Mishel realizuan një video me të cilën sfidonin Harry-n dhe ekipin britanik.
Top Channel