Sejko në Moskë: Normalizimi monetar në Evropë, s’ka efekte negative në Shqipëri

29/09/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, merr pjesë në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit i  zhvilluar në Moskë.

Në takimin që drejtohej nga Guvernatorja e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit.

Diskutimet e këtij takimi ishin fokusuar në dy drejtime kryesore: teknologjitë financiare, trendet botërore dhe kuadri rregullator; si dhe normalizimi i politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Anglisë e ndërlikimet e mundshme për ekonomitë e vendeve anëtare të Klubit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare në Shqipëri dhe ndikimet e mundshme që mund të ketë normalizimi i politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Evropiane.

Guvernatori Sejko u shpreh se normalizimi monetar në Evropë, nuk pritet të ketë efekte negative në Shqipëri. Madje këto efekte mund të jenë pozitive, duke pasur parasysh sinkronizimin që gëzon politika monetare e Bankës së Shqipërisë me atë të Bankës Qendrore Evropiane si dhe integrimin aktual që ka Shqipëria në tregjet evropiane. Në përfundim, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Përsa i përket zhvillimit teknologjik, Guvernatori Sejko parashtroi masat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të inovacionit dhe digjitalizimit. Pavarësisht fillimit të vonshëm, hapat e ndjekur vitet e fundit kanë qenë të përshpejtuar, në bazë të një strategjie të ndjekur nga qeveria shqiptare për digjitalizimin e shërbimeve dhe krijimin e e-governance.

Nga ana tjetër, Guvernatori theksoi se sistemi bankar sot prezantohet me produkte inovative, duke ndjekur zhvillimet e fundit në fushën e shërbimeve të këtij lloji. Prandaj, në rolin e rregullatorit, Banka e Shqipërisë tregon vëmendje të veçantë për kuadrin përkatës, për të krijuar kornizën ligjore dhe infrastrukturën e duhur në mbështetje të këtij procesi. Si shembull në këtë aspekt, Guvernatori solli krijimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave nga ana e Bankës së Shqipërisë, i cili shërben si një katalizator për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe kontribues në rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA