May: Siguria e BE-së, jetike. Rusia, rrezik për aleatët tanë

29/09/2017 00:00

Theresa May u zotua për mbështetje të pakushtëzuar ndaj mbrojtjes europiane pas “Brexit”-it, ndërsa përfundonte inspektimin e 800 trupave britanike në Estoni.

Gjatë vizitës së përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron, shefja e ekzekutivit britanik u shpreh se kërcënimet, që nisin nga Rusia dhe ekstremizmi, për të mbërritur deri te sulmet kibernetike, e kanë kthyer sigurinë e BE-së në një çështje jetësore.

E Londra – sipas saj, – nuk do ta mohojë ndihmesën e vet.

“Kjo është një shenjë shumë e qartë e angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar ndaj NATO-s dhe sigurisë europiane. Duke biseduar me trupat këtu dëgjova sesa mirë janë përshtatur me kolegët e tyre nga Estonia dhe Danimarka, duke bashkëpunuar plotësisht e duke dëshmuar kështu vendosmërinë e palëkundur të aleancës për mbrojtjen e Europës”, tha May.

Agresioni i vazhduar i Rusisë, në këndvështrimin e Mayt paraqet rrezik në rritje për miqtë në Estoni, Letoni, Lituani e Poloni.

“Ndaj përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë dhe e vendosur”, deklaroi ajo në kuadër të samitit të BE-së, që nisi punimet në Talin. “Ne, – përsëriti kryeministrja britanike, – po largohemi nga Bashkimi Europian, por nuk po largohemi nga Europa”.

Edhe pse nuk është pjesë zyrtare e axhendës, “Brexit” pritet të dominojë diskutimet e samitit, së bashku me reformat ekonomike të BE-së.

Top Channel