
Grumbullimi i madh i njerëzve dhe shirat e rrëmbyer ishin shkaku i ikjes së rrëmujshme në një stacion hekurudhor të Mumbait, ku njerëzit kanë shtyrë e shtypur njëri-tjetrin, në një episod që shkaktoi të paktën 22 të vdekur e 30 të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në stacionin “Elphinstone”, i cili lidh dy prej linjave të mëdha lokale të qytetit, të cilësuar si zemra financiare e Indisë. Të lënduarit u dërguan në një spital aty pranë, e zyrtarë të lartë të hekurudhave mbërritën me urgjencë në zonën e incidentit.
Raportet në media tregojnë se, përplasja ndodhi në mbikalimin që çon drejt stacionit, kur një numër i madh njerëzish ishin përpjekur të largoheshin prej aty, pasi kishin gjetur më parë strehë nga shiu i dendur, ndërsa të tjerë mbërrinin.
“Njerëzit po na binin mbi kokë. Të parat ishin nja 3 apo 4 gra. Nuk e di çfarë ndodhi me to, sinqerisht nuk e di cila është gjendja e tyre. Unë pashë që gati 25 vetë u plagosën”, tha një dëshmitar okular.
Autoritetet kanë nisur një hetim mbi incidentin, që evidenton sërish problemet e mëdha të infrastrukturës së transportit në Mumbai, e kritikuar shpeshherë për vjetërsinë dhe pamjaftueshmërinë e saj, nisur nga fakti që përdoret nga miliona njerëz çdo ditë.
Top Channel