
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ulën kufirin maksimal të pranimit të refugjatëve. Vitin e ardhshëm, administrata amerikane do t’u lejojnë hyrjen në SHBA vetëm 45 mijë personave, shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga hyrja në fuqi e ligjit mbi pranimin e refugjatëve, 37 vite më parë.
Qeveria i paraqiti një propozim Kongresit, ku parashikohet që vitin e ardhshëm fiskal në SHBA të pranohen më pak të huaj, saktësisht 19 mijë nga Afrika, 5.000 nga Azia Lindore, 2.000 nga Europa dhe Azia Qendrore, 1.500 nga Amerika Latine dhe Karaibet, si dhe 17.500 nga Lindja e Mesme e Azia Jugore.
Viti fiskal 2018 nis nga tetori 2017 deri në shtator 2018.
“Siguria e popullsisë sonë amerikane është shqetësimi ynë i parë”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane. “Ne duhet të sigurohemi që te ne të vijnë vetëm ata njerëz që nuk përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit tonë”.
Gjatë kohës kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Barack Obama, kufiri i refugjatëve të pranuar ishte 110 mijë. Kufizimi lidhet qartazi me politikat e rrepta të Donald Trump ndaj emigrantëve, të cilat presidenti amerikan i justifikon me mbrojtjen kundër terrorizmit.
Në vendet e zhvilluara perëndimore, vendi që ka pranuar më shumë refugjatë është Gjermania, me pothuajse 700 mijë të tillë të regjistruar në vitin 2016.
Top Channel