Porto Riko pas “Marias”, Trump heq kufizimet e transportit

28/09/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump eliminoi kufizimet e transportit drejt Porto Rikos, në mënyrë që karburanti dhe furnizimet e tjera të mbërrijnë në ishullin e dërrmuar nga uragani “Maria”.

Shtëpia e Bardhë lajmëroi se presidenti urdhëroi që ligji “Jones” të anulohet për Porto Rikon. Autoritetet në ishull i kërkonin prej kohësh Shteteve të Bashkuara që të eliminonin këtë rregullore të errët të vitit 1920, e cila kërkon që mallrat e transportuara nga një port amerikan në tjetrin të lundrojnë me një anije të ndërtuar në SHBA, me pronarë amerikane dhe me ekuipazh amerikan, ose të përbërë nga rezidentë të përhershëm.

Rrënimi i ishullit pas stuhisë e bëri urgjente eliminimin e këtij rregulli, pasi shumica e 3.4 milionë banorëve të Porto Rikos kanë mbetur pa energji elektrike, ujë të pastër dhe mallra të tjera të nevojshme.

Por, edhe para stuhisë, ligji “Jones” i krijonte mjaft probleme Porto Rikos, pasi të gjitha mallrat që shkonin atje duhej të respektonin rregulloren dhe detyrimisht kushtonin më shumë. Aktualisht, situata në ishull është mjaft e vështirë dhe radhët e gjata nuk mungojnë para pikave të karburanteve, që hapen vetëm pak orë në ditë.

Spitalet thuajse kanë ndalur së funksionuari pasi s’ka energji, ndërsa në 90% të territorit të ishullit mungon mbulimi me sinjal të telefonive celulare. Banorët e Porto Rikos janë ankuar për situatën e krijuar, sepse si qytetarë amerikanë pretendojnë trajtim të njëjtë me ata të pjesëve të tjera të vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta