Librazhd, shtëpitë e të pastrehëve “peng” i Hipotekës

28/09/2017 00:00

Edhe pse ka përfunduar një vit më parë, pallati i ndërtuar për të pastrehët në Librazhd nuk është vënë ende në funksion.

Familjet, të cilat me vendim të Këshillit Bashkiak kanë përfituar një apartament me kosto të ulët në këtë pallat, ende vazhdojnë të presin dhe të paguajnë qera për strehimin.

“Jetoj me qera, kam 20 vjet që jetoj me qera dhe s’po marrim dot çelsat”, thotë një banor.

Për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, një situatë e tillë ka ardhur për shkak të bllokimit nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila prej një vitit zvarrit regjistrimin e pallatit, sipas zotit Gurra, për arsye politike.

“Kemi hasur një rezistencë nga Hipoteka. Nuk kemi arritur të gjejmë gjuhën e komunikimit për regjistrimin e këtij pallati në Hipotekë dhe që qytetarët të hyjnë në shtëpitë e tyre të reja”, thotë Gurra.

Drejtuesit aktualë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Librazhd thonë se po kryejnë të gjitha procedurat që ky pallat shumë shpejt të jetë në dispozicion të përfituesve, ndërsa nuk pranojnë të flasim për zvarritjet e mëhershme.

Ndërtimi i Pallatit për të pastrehët në Librazhd u financua nga Enti Kombëtar i Banesave, me një vlerë prej rreth 90 milionë lekë, në një sipërfaqe prej 998 metra katrorë.

Top Channel