
Policia gjermane lajmëroi publikun se një person ka helmuar ushqimin për të rritur dhe fëmijë në supermarkete, e po bën shantazh për miliona euro.
Personi në fjalë pretendon se ka helmuar ushqime në supermarkete të ndryshme, ndërsa autoritetet kanë gjetur gjurmë helmi në ushqimin për fëmijë.
Zyrtarët në qytetin e Kostanzës thonë se, mesazhi kërcënues iu dërgua disa supermarketeve. Në mesazh kërcënohej me helmin ushqimesh në të gjithë Europën, nëse nuk paguhen 11.7 milionë euro.
Policia gjermane po kërkon personin e paidentifikuar që shfaqet në kamera, pamje të regjistruara në një supermarket në Konstanz, ndërsa është dhënë alarmi në të gjithë vendin, pasi në jug të Gjermanisë u gjetën javën e shkuar 5 kavanozë me ushqim fëmijësh të helmuar.
Ekspertiza zbuloi se në 5 kavanozët kishte “glikol etileni”, një lëng toksik pa erë. Deri tani nuk është raportuar asnjë rast helmimi në të gjithë Gjermaninë, ndërsa policia refuzon që të thotë se cilët supermarkete janë shënjestruar.
Zyrtarë të policisë thanë se kërcënimi po trajtohet shumë seriozisht, por shtuan se nuk ka vend për panik. Megjithatë, policia këshilloi njerëzit që kur të blejnë në supermarket, të raportojnë paketime ushqimesh që iu duken të dyshimta.
Top Channel