Afganistan, Stoltenberg: Mbështetja e NATO-s do të vazhdojë

28/09/2017 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, si dhe shefi i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin në Kabul për të ritheksuar mbështetjen ndaj qeverisë afgane.

Nga konferenca e përbashkët me James Mattis dhe presidentin Ashraf Ghani, Stoltenberg u tha gazetarëve se rreth 13 mijë trupa nga 39 vende janë duke shërbyer aktualisht në këtë vend brenda kornizave të NATO-s, me misionin të ndihmojnë forcat afgane në përpjekjet e tyre stërvitore, t’i këshillojnë e t’i mbështesin në luftën kundër rebelëve.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ta në fusha të ndryshme, përfshirë mbështetjen e forcave speciale afgane, të ndërtojmë forcat e tyre ajrore e të forcojmë komandën dhe kontrollin. NATO-ja është e angazhuar t’i financojë forcat afgane të sigurisë deri në vitin 2020”, tha Stoltenberg.

Mattis shpjegoi se rritja e re e numrit të trupave amerikanë synon të tregojë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen nga lufta në Afganistan, por do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë e atjeshme për të luftuar bashkërisht terrorizmin.

“E gjithë kjo u bë për t’u siguruar se Afganistani nuk do të kthehet përsëri në një parajsë të sigurtë të terroristëve ndërkombëtarë, e mënyra më e mirë që të ndodhë një gjë e tillë është përmes forcimit të forcave vendase të sigurisë”, tha James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes në SHBA.

Pak pas mbërritjes së shefit të Pentagonit në kryeqytetin afgan, një seri raketash goditën zonat në afërsi të aeroportit të tij. Talebanët deklaruan se shënjestra e tyre ishte Sekretari amerikan i Mbrojtjes, por në momentin e sulmit ai kishte kohë që ishte larguar prej andej.

Top Channel