
Ish-administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj rrezikon një dënim prej 15 vitesh burgim për akuzat e mashtrimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Sipas prokurores Antoneta Sevdari, Kastriot Ismailaj nëpërmjet mashtrimit, falsifikimit dhe dokumenteve fiktive ka vjedhur 650 milione lekë ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje.
Sipas prokurorisë, dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Ismailajt në këtë aktivitet kriminal ishin pikërisht dy ish-drejtuesit kryesorë të CEZ, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të cilët janë duke u gjykuar në mungesë në një tjetër proces në Gjykatën e Tiranës.
Mashtrimi kishte arritur deri në atë nivel sa dy ish-drejtuesit e CEZ urdhëronin shlyerjen e faturave fiktive të Ismailajt për punë dhe shërbime, që nuk ishin kryer asnjëherë.
Prokurorja e çështjes nënvizoi se kompania DIA e Kastriot Ismailajt u krijua pikërisht për të realizuar këtë skemë mashtrimi dhe vjedhjeje të CEZ Shpërndarjes.
Zbardhja e kësaj skeme mashtrimi ka patur ndikimet e veta edhe tek dy dëshmitarët kryesorë të këtij procesi, ish-administratorit të DIA-s, Elvis Mataj, i cili pasi u mor në mbrojtje tanimë nuk dihet vendodhja e tij dhe ish-juristit të DIA-s, Romeo Karaj, i cili gjatë ditës së mërkurë ka postuar në faqen e tij në Facebook një denoncim publik, sipas të cilit persona të burgosur janë liruar gjatë natës me qëllim për ta ekzekutuar, por që nuk ja kanë arritur. Këtë fakt Karaj e pohoi edhe për Top Channel gjatë një bisede telefonike.
Përveç çështjes penale, Kastriot Ismailaj duhet të kthejë edhe një shumë prej 9.5 milionë euro si dëmshpërblim, që gjykata ja ka njohur OSHEE si dëm të shkaktuar nga skema mashtruese.
Top Channel