Çudia në Gjykatën e Apelit, i padituri është edhe paditës

27/09/2017 00:00

Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve në Gjirokastër, Kristaq Thimio tregoi një ditë më parë në “Fiks Fare” se në gjykatë duhet të mbrojë veten ndaj një akuze që ka ngritur institucioni që ai drejton.

Më 19 korrik të këij viti, në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës u mbajt seanca e parë gjyqësore. Seanca e radhës është caktuar për më 28 shtator, kur në mungesë të juristit të institucionit, “drejtorit të paditur”, do t’i duhet t’i luajë vetë edhe rolin e paditësit.

Thimio është larguar tre herë nga detyra dhe ka fituar të drejtën e rikthimit me gjyq. Ai është emëruar për herë të parë kryeinspektor i ISHMP-së më datë 21 shkurt 2014 dhe është shkarkuar nga detyra në dhjetor të të njëjtit vit për arsye se rezultonte debitor ndaj OSHEE-së.

Pas shkarkimit ai nisi procesin gjyqësor ndaj institucionit me objekt: tërheqjen e urdhërit të shkarkimit; kthim në pozicionin e mëparshëm të punës; dhe detyrimin e palës së paditur për të kryer pagesën nga largimi nga detyra deri në rikthim”.

Në fund të këtij procesi zoti Thimio doli fitues dhe në qershor 2017 u rikthye në krye të institucionit. Por ndërkohë, ndaj tij ishte hapur një tjetër proces gjyqësor, për një USB.

ISHMP i Gjirokastrës, mbas paraqitjes së një raporti të hartuar nga Drejtoria e Auditimit të Brendshëm të Ministrisë së Mjedisit, paditi Kristaq Thimion për shpenzim të pajustifikuar të fondeve për karburantin dhe pikërisht për mosdorëzimin e një USB-je, me vlerë 3 mijë lekë.

Në padinë e tij, ISHMP kërkonte marrjen e të gjithë hapave ligjorë për të zhdëmtuar këtë vlerë, ndërsa pretendonte se asnjë dokument i zotit Thimio justifikonte mënyrën e përdorimit të karburantit.

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër mori vendimin duke pranuar pjesërisht akuzën. Kështu, Kristaq Thimio u çlirua nga detyrimi i karburantit, por iu la në ngarkim vetëm vlera prej 3.000 lekë e USB-së. Por kur filloi gjyqi në shkallë të dytë, zoti Thimio u kthye në pozicionin e drejtuesit të institucionit që kishte ngritur padinë ndaj tij.

Në këto kushte, kryeinspektori Ergys Agasi nxorri një urdhër në bazë të të cilit Thimio pezullohej nga detyra për shkak se ndaj tij kishte filluar një procedim disiplinor, duke marrë shkas nga raporti i auditimit të sipërcituar.

Ndërkohë që më datë 14.09.2017, zoti Agasi kishte nënshkruar urdhrin tjetër për revokimin e pezullimit të Thimios dhe rikthimin në detyrë të tij.

Thimio,  pas marrjes së detyrës, është paraqitur në seancë gjyqësore në cilësinë e të paditurit, ndërkohë që është de jure dhe de facto edhe përfaqësuesi i palës paditëse.

Në këto rrethana është krijuar një situatë absurde që i jep shkas krijimit të një konflikti interesi. Absurdi vijon në seancën e datës 28 shtator 2017.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta