
Dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, ku CDU-ja e Angela Merkelit fitoi shumicën e votave, por do t’i duhet të formojë një koalicion për të qeverisur vendin, shumë pyetje janë ngritur mbi ndikimin që do të ketë rezultati i zgjedhjeve të së dielës në bllokun europian, e sidomos në procesin e zgjerimit.
Tobias Flessenkemper, drejtues i projektit për Ballkanin në Qendrën ndërkombëtare të Formimit Europian “CIFE”, mendon se nuk do të ketë ndryshim të kursit. “As vet presidenca e Trumpit, – thotë ai, – Brexit apo zgjedhja e Macron nuk mund të prodhojnë ndryshime rrënjësore të linjës së ndjekur”.
Flessenkemper beson se, një koalicion i mundshëm i Merkelit me liberalët dhe të gjelbrit nuk është aspak lajm i keq për shtrirjen e BE-së.
“Të dyja këto parti të vogla janë gjerësisht pro BE-së. Të gjelbrit kanë qenë gjithmonë shumë të interesuar dhe mbështetes ndaj Ballkanit”, tha Tobias Flessenkemper, drejtor për Ballkanin, “CIFE”.
Vazhdimësi të politikave të deritanishme pret në masë të madhe edhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
“Gjermania ka qenë e do të mbetet spiranca e stabilitetit të bllokut europian nën zonjën Merkel, ndaj tani duhet krijuar sa më shpejt një qeveri e qëndrueshme”, citohet të ketë thënë ai.
Juncker nuk e fshehu shqetësimin nga hyrja për të parën herë në Parlamentin gjerman të populistëve të djathtë, por Merkel vet mendon se prania e “AfD”-së në Bundestag nuk do të ketë ndikim të madh në politikën e jashtme, në atë europiane, apo në çështjet e refugjatëve.
Top Channel