
Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar dhe ecuria e pranimeve të studentëve në universitete ishin temat e rendit të ditës në dëgjesën e Komisionit të Medias, ku e ftuar ishte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
“Kur i referohemi çmimit të teksteve, duhet parë e tërë fusha. Pra, kemi të bëjmë me më shumë tekste, kemi të bëjmë me tekste që nuk shkruhen më nga autorë shqiptarë…”, tha Nikolla.
Por, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmeti, sjell të dhëna të tjera që, sipas saj, janë fakte kokëforta që e vënë arsimin parauniversitar në pikëpyetje të madhe: “Një në çdo 4 mësues nuk është i kualifikuar, rezultatet e Pisa për fëmijët në arsimin e mesëm janë ndër më të ultat”.
Por, Nikolla ka një përgjigje për këtë: “Jemi vendi i tretë përsa i përket ritmit të rritjes në matematikë dhe kemi lënë pas 22 vende”.
Me gjithë tentativat, mbledhja e ditës së martë u ndërpre vazhdimisht, kryesisht nga deputetët e opozitës.
Por, cilat janë planet afatgjata të ministrisë për këtë vit të ri shkollor?
“Do të ulim me 30% numrin e klasave kolektive. Vitin e ardhshëm ne do të kemi progres në këtë çështje duke mundësuar tekste falas”, deklaroi Nikolla.
Top Channel