Vota për pavarësinë në Irak, kurdët votojnë në masë

25/09/2017 00:00

Banorët e rajonit të Kurdistanit në Irak votuan në një referendum historik që cilësohet si hapi i parë drejt pavarësisë nga Bagdadi, duke sfiduar jo vetëm vendin ku gjenden, Turqinë dhe Iranin, por edhe fuqitë e mëdha që i druhen dhunës për shkak të kësaj lëvizje.

Autoritetet lokale në Kurdistan, një krahinë autonome në Irak e banuar kryesisht nga kurdët, thanë se mbi 80% e banorëve të tre provincave që përbëjnë këtë rajon morën pjesë në referendum. Rezultati i referendumi që pritet të jetë një po e fortë për pavarësinë nuk është detyrues, por i jep fuqi presidentit de fakto të kurdëve Massoud Barzani që t’i vendosë bashkëpatriotët e tij në rrugën drejt pavarësisë dhe të nisë negociata me Bagdadin.

Iraku sigurisht që nuk e ka njohur referendumin dhe kryeministri Hajder al Abadi tha se do të marrë që të gjitha masat për të mbrojtur integritetin e vendit.

Turqia dhe Irani gjithashtu janë kundër referendumit, pasi druhen se ai do të nxisë idetë separatiste mes minoriteteve kurde që jetojnë në këto dy vende. Por kurdët në Irak flasin për pavarësinë prej kohësh dhe fakti që luftuan të vetëm kundër Shtetit islamik për të mbrojtur territoret e tyre, i jep një arsye më shumë për ta kërkuar këtë.

Kurdët janë grupi i katërt më i madh etnik në lindjen e mesme, por ata kurrë nuk kanë pasur një shtet të tyrin. Rezultatet paraprake zyrtare të referendumit priten të martën, ndërsa ai final do të lajmërohet më vonë gjatë javës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta