
Policia ruse duket se ka zbuluar një prej rasteve më të frikshme të kanibalizmit në vend, pasi arrestoi një burrë dhe gruan e tij në qytetin Krasnodar, të cilët dyshohen se kanë vrarë shumë njerëz dhe kanë ngrënë pjesë të trupave të tyre.
Dmitry Baksheev, 35 vjeç, dhe gruaja e tij Natalia u arrestuan, pasi në telefonin celular të bashkëshortit u gjetën foto trupash të gjymtuar. Mediet ruse raportojnë se dy të arrestuarit pranuan se kanë vrarë të paktën 30 persona, ndërsa hetuesit po analizojnë provat e gjetura në apartamentin e tyre, mes të cilave edhe pjesë trupash njerëzish në kavanozë.
Madje, edhe përmbajtja e frigoriferit të tyre po hetohet për ADN njerëzore, pasi dyshohet se disa nga ushqimet që ata kishin aty mund të jenë mbetje njerëzore.
Çifti ra në pranga pas vrasjes së një gruaje në afërsi të një baze ushtarake në Krasnodar, ku ata jetonin. Policia gjetin trupin e gjymtuar të gruas të hedhur në rrugë dhe më pas telefonin celular të Baksheev, ku ai pozonte me pjesët e trupit të viktimës.
Mediet ruse nga Krasnodari raportojnë se, hetuesit dyshojnë që seria e vrasjeve makabër të çiftit mund të ketë nisur që në vitin 1999, pasi në apartamentin e tyre u gjet një foto e printuar e dhjetorit të këtij viti, ku shfaqej një kokë e prerë mbi një pjatancë me fruta. Policia ruse tha se dy të arrestuarit janë në burg, të akuzuar për vrasjen më të fundit, ndërsa vazhdojnë hetimet dhe testet biologjike.
Top Channel