Drita e syve për të nuk është pengesë, pasi asaj i buron nga shpirti. Shpirtin artistik dhe talentin në muzikë, Blerina Shalari e ka treguar ndër vite me pjesëmarrjen në evente të ndryshme muzikore, ku edhe është nderuar me çmime.

Ajo kurrë nuk iu nënshtrua vështirësive, ndonëse në jetën e saj kanë qenë të shumta, por i shndërroi ato në forcë e optimizëm për jetën. 

Pas diplomomimit në “Akademinë e Arteve” në fushën e kompozicionit, Blerina iu dorëzua për 5 vite studimit të temës “Polifonia Labe dhe Muzika e Kultivuar Shqiptare”.

“Këtë studim mendova ta shtrij edhe më tej duke prekur të gjithë jugun e Shqipërisë dhe ta bashkoj këtë e ta krahasoj me muzikën e kultivuar për t’i dhënë studimit një karakter pak krahasimor”, rrëfen ajo.

Pas 5 viteve, tani ajo është e para muzikante me aftësi ndryshe me gradën shkencore: DOKTOR.

“Fakti që ndodhi që një person i tillë të doktorohet është një arritje në radhë të parë për vetë akademikët, pasi ata e kanë pranuar tashmë këtë thyerje tabuje, edhe fakti që ndodhi do të thotë që do të ndodhë prapë, sepse shkenca zhvillohet, njerëzit kanë kërkesa të reja për jetën. Kini parasysh që dijetaria në formën e njerëzve që nuk shikojnë nuk është gjë e re, sepse poeti më i madh i lashtësisë ishte Homeri, që ishte i verbër, pra nuk është gjë e re, por thjesht duhej mbase kjo kohë, ky çast, ky moment, që të vinte diçka si kjo”, shton Blerina.

Brenda natyrës artistike, tregon udhëheqësi i saj shkencor, Blerina gjithnjë krijonte premisa që ta çonte nivelin e saj kulturor e arsimor nga njëri stad në tjetrin, duke luftuar që gjithçka ta arrinte me mund.

“Unë mendoj që Blerina nuk është një vajzë me aftësi të kufizuara, por është një vajzë me aftësi të veçanta. Në 5 vitet e punës, që po ta mendosh është një kohë relativisht e gjatë, pasi aftësitë e saj të veçanta e kërkonin edhe pak këtë kohëzgjatjen e punimit, ma mbushën mendjen akoma më shumë që Blerina është jo vetëm një artiste, por një artiste që të sfidon me dashurinë e saj për muzikën, me dëshirën për të lënë një kontribut, sipas mënyrës së saj, mbi të gjitha me faktin që ajo nuk do që t’i dhurosh gjë”, thotë Vaso Tole, udhëheqës shkencor i Blerinës.

Përmes programeve të posaçme në fushën e teknologjisë, Blerina ia del të aksesojë informacionin që i duhet.

“Kam marrë librat e fushës që më duhen dhe ne kemi një studio folëse në shoqatën tonë, në të cilën ka ca njerëz që i lexojnë librat. Librat mund të merren siç janë libra fizikë, të skanohen dhe të kthehen në format elektronik, të cilat pastaj kompjuteri i lexon”, thotë Blerina.

“Unë nga ana ime dëshiroj që t’i them Blerinës që edhe për mua ishte një rast i veçantë. Nuk besoj që do të kem ndonjë rast të dytë që të drejtoj, ndonjë si Blerina në këto kushte dhe t’i them se unë do të mbaj mend sfidën dhe kënaqësinë, preokupimet që pata që Blerina t’ia dilte bashkë me mua, bashkë me familjen e saj, të cilët kanë qenë për hir të së vërtetës edhe suporti më i madh i saj”, thotë profesor Vaso Tole.

 “Dua të falenderoj profesor Vason për largpamësinë e tij, por jo vetëm atë. Kanë qenë një plejadë, një shpurë e tërë mësuesish, pedagogësh, asistentësh e njerëzish. Unë nuk jam rasti i vetëm në doktoratë, sepse kam edhe dy kolegë të tjerë, por unë jam doktorata e parë në muzikë, por nuk është për ta parë në aspektin unikal, por për ta parë në aspektin më jetëgjatë të kësaj pune. Fakti që ka ndodhur një rast si i imi do të thotë që do të ndodhë prapë”, mbyll fjalën e saj Blerina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA