Shqipëria, “shërbyese” e mirë. Rritet eksporti i konsulencës

22/09/2017 00:00

Ndonëse bilanci tregtar i Shqipërisë është negativ, pozicioni i jashtëm i ekonomisë po përmirësohet nga një faktor tjetër, tregtia e shërbimeve.

Banka e Shqipërisë raportoi se defiçiti i llogarisë korente, treguesi i cili mat diferencën mes valutës që del jashtë dhe asaj që hyn në vend, u ngushtua me 21.2 për qind në gjashtëmujorin e parë.

E shprehur në vlerë kjo do të thotë se defiçiti korent i vendit u ngushtua me 100 milionë euro krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.

Por cilat janë konkretisht shërbimet që Shqipëria i shet botës duke siguruar valutë nga jashtë për ekonominë?

Sipas Bankës së Shqipërisë, efektin kryesor e kanë dhënë dy zëra: shërbimet që bizneset shqiptare bëjnë për llogari të kompanive të huaja; dhe sektori i turizmit.

Tek grupi i parë hyjnë industria e call center-ave, ajo e shërbimeve dhe konsulencës financiare, këshillimet ligjore, si dhe një grup i madh shërbimesh të tjera.

Në gjysmën e parë të vitit, eksporti i këtyre shërbimeve u dyfishua krahasuar me vjet. Megjithatë, burimi kryesor i valutës në ekonomi mbetet sektori i turizmit.

Edhe pse jashtë sezonit, për periudhën janar-mars të huajt që kanë hyrë në Shqipëri kanë shpenzuar 722 milionë euro, një shifër kjo dukshëm më e lartë se shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë.

Ecuria pozitive e shërbimeve ka kompensuar jo pak defiçitin tregtar të vendit. Sipas të dhënave, Shqipëria humbi 1.2 miliardë euro nga defiçiti tregtar në gjysmën e parë, por për të njëjtën periudhë ekonomia përfitoi 485 milionë euro nga sufiçiti i shërbimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA