
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për VOA ka deklaruar se zgjedhjet e 25 qershorit kanë hapur një faqe të re për Shqipërinë.
“Një faqe e re është hapur dhe ne do bëjmë çmos që ta shkruajmë këtë faqe të re me një Shqipëri më të mirë, me një ekonomi më të fortë, me më shumë punësim, më shumë investime të huaja dhe shërbime më të mira për qytetarët, nga sportelet tek ato si shëndetësia e me radhë”, ka thënë Rama.
Në vazhdim të intervistës, Rama u është përgjigjur një sërë pyetjeve që kanë të bëjnë me çështjet e aktualitetit shqiptar.
Qasja me opozitën – “Secili zgjedh qasjen dhe rrugën e vetë. E sigurtë është se asnjë qasje dhe asnjë rrugë nuk mund të përjashtojë faktin se Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Ne do të këmbëngulim që sa herë të paraqitet mundësia të ftojmë faktorët e tjerë, pasi vendi ka humbur shumë kohë me konflikte që nuk i kanë shërbyer”.
Ligji i mbetjeve – “Ne do të rikthejmë në një diskutim të gjerë me publikun çështjen e mbetjeve, me të cilin lloj lloj sharlatanësh në kazanin politiko-mediatik kërkojnë të përfitojnë duke mashtruar publikun. Ne do të marrim kohën e nevojshme për të bërë të ditur se këtu bëhet fjalë për një proces modernizues dhe europianizues të Shqipërisë, që duhet të ketë një sistem riciklues për mbetjet e gjelbërta siç e kanë të gjithë”.
Dekoratat – “Ligji për dekoratat kërkon një rishikim në funksion të nevojës për ta përmirësuar më shumë nismën ligjore. Është pozitive që një mazhorancë që ka shumicën absolute të reflektojë para se të kalojë në votim”.
Marrëveshja e re me FMN – “Është një program i ri që është brenda portofolit të FMN-së. Nuk është vazhdimi i të njëjtit program dhe kjo është normale kur ne kemi krijuar një stabilitet ekonomik. Roli i FMN-së nuk është siç ishte, por është i nevojshëm”.
Reforma zgjedhore – “PD duhet të kuptojë se ka detyrimin të dëgjojë edhe kërkesat e palës tjetër. Ne nuk mund të ecim me menunë e palës tjetër, por duke përfshirë në axhendën e dialogut këndvështrime të përbashkëta. Tryeza e dialogut nuk mund të jetë një tryezë me menu të përcaktuar nga njëra palë”.
Top Channel