
Kukësi do të luajë këtë fundjavë ndaj Laçit në ndeshjen e javës së tretë të Kategorisë Superiore.
Skuadra kampione e Shqipërisë në dy sfidat e para nuk është shfaqur në formën e saj më të mirë, ndërkohë që ka pasur probleme edhe me shënimin e golave, që u pranua edhe nga trajneri Mlladen Milinkoviç.
“Në ndeshjet e para nuk kemi shënuar shumë gola, por ishte vetëm fillimi. Skuadra nuk është harmonizuar ende siç duhet në fazën sulmuese. Shpresojmë që në ndeshjen me Laçin të paraqitemi më mirë dhe të shënojmë më shumë gola”, tha trajneri.
Përsa i përket sfidës, Milinkoviç është shprehur se skuadra e tij është gati, pavarësisht problemeve me virozat e stinës me të cilat është përballur ditët e fundit: “E kemi ndjekur Laçin në dy ndeshjet e para. Është një skuadër e organizuar mjaft mirë dhe ka në përbërje lojtarë cilësorë. Historia për ne nuk ka vlerë shumë. Ajo që duam të bëjmë është të paraqitemi sa më mirë në këtë ndeshje dhe të bëjmë një lojë të bukur për të argëtuar tifozët tanë, edhe pse kemi pasur probleme. Duhet ta mbyllim sa më shpejt këtë ndeshje. E dimë që Laçi, ashtu sikurse edhe çdo skuadër tjetër, vjen në Kukës për të marrë pikë. Ne jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe e dimë se cilat janë pikat e dobëta të Laçit”.
Top Channel