Valmir Dedja, Klement Xhaferri dhe Ledio Zabeli dolën para Krimeve të Rënda për masën e sigurisë që i lidh ata me incidentin në qytetin e Elbasanit, por që me provat që janë referuar pranë gjykatës, asnjëri prej tyre nuk vendoset me shpatulla pas muri në lidhje me përmasat e aksionit disa orësh në këtë qytet.
Ledio Zabeli u la në “arrest me burg” vetëm për veprën e prodhimit dhe mbajtjes së një doze kanabisi, ndërkohë që nuk përbën vepër penale fakti që ai ndodhej në automjetin tip Range Rover të ndaluar nga policia, kështu që pozitat e tij nuk rëndohen.
Arresti i Klement Xhaferrit, i cili u kap duke drejtuar mjetin Range Rover, u konsiderua i paligjshëm, ndërkohë që ndaj tij u vendos arrest shtëpiak për akuzën e mbajtjes së armëve sportive pa leje, për të cilën avokati i tij mbrojtës pretendon se pas ekspertizës ajo do të dalë një armë trofe.
Nën “arrest me burg” u la edhe 44-vjeçari Valmir Dedja, roje i tregut agro-ushqimor, që, sipas referimit, ka kundërshtuar policinë dhe ka përkrahur autorin e krimit, duke mos i hapur portën policisë që ishte në ndjekje të personit që goditi me Audi mjetin ku ndodheshin nëndrejtori i Policisë së Elbasanit si dhe shefi i Krimeve.
Por, nga ana e tyre, 12 efektivë të Policisë së Elbasanit që mendohet të kenë qenë në aksion për mjetet e trafikuara kanë deklaruar në materialin e referuar në prokurori se nuk e njohën personin që drejtonte mjetin e dyshimtë.
Sipas përshkrimit të tyre, autori ishte trup mesatar dhe mbante në kokë një kapele. Për goditjen e mjetit të policisë, prokuroria ka hapur hetimet, ndaj edhe për tre të arrestuarit e vetëm të këtij aksioni masat u zhvilluan në këtë gjykatë. Por, avokati i tyre mbrojtës pretendon se arrestimi i të treve është i paligjshëm.
Top Channel