Rritja ekonomike mbi 5 përqind, Ahmetaj: Ja si do të bëhet

21/09/2017 00:00

Qeveria e re premton një rritje ekonomike mesatare prej 4.5 përqindësh në këtë mandat, që do të thotë një rritje prej 5.5 deri në 6 përind në vitin e fundit të këtij mandati.

Sa realist është ky premtim dhe cilat janë burimet që do ta furnizojnë këtë.

Ministri i Financës dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj shpjegoi në Top Story se objektivi kryesor është thithja e investimeve të huaja përmes lehtësirave fiskale dhe programi 1 miliardë dollarësh i qeverisë.

“Buxheti është një aktor në rritjen ekonomike, por nuk është më i rëndësishmi. Qeveria ka detyrim të marrë politikat e duhura dhe të mos ketë masa kundërciklike kur nuk duhet t’i ketë ato. Buxheti do të injektojë me anë të koncesioneve 1 mld vetëm në infrastrukturë dhe vetëm nga llogaria e investimeve publike do ta nisim me 85 mld lekë për 2018, duke ulur borxhin publik me 2 përqind dhe mundësi ekonomisë të rritet me 4 deri në 4.2 përqind”, tha ai.

Ahmetaj tha se të dhënat janë premtuese edhe në fushën e turizmit.

“Turizmi do të kontribuojë dhe besojmë që investimet e huaja do të rriten në këtë sektor”, deklaroi Ahmetaj.

Redaktori i ekonomisë në Top Channel, Klodian Tomorri u shpreh skeptik.

“Gjashtë përqind rritja ekonomike është një bast i vështirë, pasi do të thotë të rikthesh ritmet e rritjes ekonomike të para krizës, ndërkohë që edhe vetë institucionet më prestigjoze pranojnë se bota ka ndryshuar dhe ekonomia nuk është më e njëjtë”, tha ai.

Ardian Civici nga ana tjetër tha se barra e buxhetit është e lartë për rritjen ekonomike.

“Buxheti ka një barrë të rëndë në këto katër vite që vijnë, edhe për të ulur borxhin, edhe për të mos patur rritje taksash gjatë këtyre katër viteve”, u shpreh ai.

Ministri Ahmetaj deklaroi se synimi është tërheqja e investimeve të mëdha, të ashtuquajtura “brand name”.

“Ka një nismë që është përkthyer brenda logjikës së programit të qeverisë. Jemi të përgatitur të ofrojmë lehtësi fiskale për investimet “brand name”, që nga toka 1 euro për 99 vjet, deri tek zero tatim fitimi për 5-10 vitet e para, zero taksë infrastrukture e të tjera”, tha ai.

Një tjetër fushë që do të kontrobuojë në rritjen ekonomike, sipas Ahmetaj, është edhe zgjerimi i hidrokarbureve.

“Kemi mundësi me zgjerimin e hidrokarbureve me anë të SHELL që ka hyrë në një fazë të re dhe ka shfaqur interes edhe British Petroleum”, u shpreh Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA