
Diego Costa do të kthehet te Atletico Madrid. Pas 3 muajsh bisedimesh, klubi madrilen do të mbyllë më në fund tratativat me Chelsea-n për rikthimin e sulmuesit të përfaqësueses spanjolle në skuadër, ndërkohë që në arkat e “Bluve të Londrës” do të derdhë 60 milionë euro.
Pas kryerjes së vizitave mjekësore, Diego Costa në ditët e ardhshme pritet të bëjë prezantimin e tij si futbollisti i Atletico Madrid. 27-vjeçari nuk do të mund të luajë me “Los Colchoneros” deri në muajin janar për shkak të bllokimit në merkato të Atletico, por gjatë kësaj kohe do të ketë mundësinë që të stërvitet nën urdhrat e Diego Pablo Simeones.
Diego Costa largohet nga Chelsea pas problemeve të krijuara në raportet me Antonio Conten, me këtë të fundit që i bëri të ditur përjashtimin nga planet e tij të sulmuesit nëpërmjet një mesazhi telefonik. Diego Costa për 2 muaj qëndroi në vendlindjen e tij, Lagarto në Brazil pasi refuzoi bashkimin me pjesën tjetër të skuadrës së Chelsea-t. Dëshira e tij për t’u kthyer te Atletico dhe sakrifica ekonomike e drejtuesve të klubit iberik bënë që kjo çështje të shkojë drejt një fundi të lumtur për sulmuesin spanjoll.
Top Channel