
Policia e Lezhës ka goditur një rrjet trafiku të lëndës narkotike, duke vënë në pranga organizatorin e tij dhe dy transportuesit, si dhe ka sekuestruar rreth 25 kg marijuanë.
Në sajë të operacionit “Deltar” janë vënë në pranga Besim Gashi, 47 vjeç dhe Sami Vatija, 41 vjeç nga Kosova. Në Kryqëzim të Rriles, ata janë ndaluar nga policia duke drejtuar një kamionçinë, ku në brendësi të saj kishin modifikuar vendin e fshehjes së lëndës narkotike marijuanë, e ndarë në 19 pako të mbështjella me natriban, e cila pas peshimit rezultoi 20 kg.
Ndërkaq, në pranga u vu dhe Ilir Markvukaj, 41 vjeç, i dyshuar si drejtuesi i këtij rrjeti të trafikimit të lëndës narkotike drejt shtetit Kosovë. Gjithashtu u shpall në kërkim e punohet për kapjen e D.M. 49 vjeç, banues në Lezhë , pronar i servisit ku ishte përgatitur dhe paketuar lënda narkotike.
Po në këtë servis , gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur e sekuestruar edhe 5 kg 230 gr marijuanë.
Për Markvukajn dhe pronarin e servisit vijon puna për verifikimin e pasurisë, pasi janë evidentuar dhe sekuestruar në total 7 automjete në pronësi të tyre.
Top Channel