Anti-informaliteti, Ahmetaj: Qëllim barazia tatimore

21/09/2017 00:00

Ministri i Financës dhe Ekonomisë deklaroi këtë të enjte se nga 1 tetori do të nisë në shkallë vendi aksioni kundër informaliteti në ekonomi.

Pas atij të ndërmarrë në mandatin e parë të qeverisë “Rama”, ky aksion do të ketë disa ndryshme. Këto ndryshime i njoftoi në Top Story, vetë ministri Arben Ahmetaj.

“Diferenca është në thellësinë dhe instrumentat që do të përdorim në këtë operacion. Anti-informaliteti do të jetë në funksion të rritjes së bazës së taksave, me një korsi të përdorimit të instrumentave që jep ligji për të afruar tatimpaguesit që të vetëkorigjohen”, tha Ahmetaj.

Kësaj radhe në qendër do të jetë biznesi i madh.

“Fokusi do të jetë biznesi i madh edhe për një arsye të drejtpërdrejtë,sepse sot kemi një sistem të vlerësimit të riskut në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të maturuar, ndryshe nga një vit më parë që sapo kishim nisur ta përdornim. Logjika që ndihmon përmes këtij instrumenti aksionin është më e strukturuar, më e maturuar”, deklaroi Ahmetaj.

Por jashtë këtij aksioni nuk do të qëndrojë biznesi i vogël. Ahmetaj tha se synimi është shtrirja e kontrolleve që nga importuesit e deri tek shitësit e vegjël.

“Ka një theks të veçantë tek etika e administratës. Do të ketë këmbëngulje, sidomos zbatimi në terren, por edhe modesti dhe etikë në vizitat fiskale në mënyrë që të reflektojë drejtpërdrejtë vendosmërinë në zbatimin e ligjit”, u shpreh ministri.

Qëllimi kryesor nuk është shtimi i të ardhurave.

“Nuk është mbledhja e të ardhurave. Qëllimi është barazia në pagesat e taksave dhe konkurenca e ndershme, edukimi dhe informimi dhe e treta është zbatueshmëria e ligjit”, tha Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA