
Përballë transferimeve që thyen çdo rekord dhe limit këtë verë në futbollin europian, drejtuesit e futbollit botëror nuk munguan të kërkojnë shpjegime e tashmë nisin ta marrin seriozisht.
Presidenti i FIFA-s Xhani Infantino kërkoi nga institucionet që kanë përgjegjësinë financiare, të luftojnë sistemin e transferimeve, në një kohë që kreu i UEFA-s Aleksandër Ceferin, i bëri thirrje liderëve politikë europian të ndihmojnë konkretisht me masa shtrënguese.
“1 miliard euro shtesë në tregun e transferimeve është diçka që duhet të na bëjë të shqetësohemi”. Kjo fjali e shkëputur nga deklaratat e presidentit të FIFA-s në një kongres në Gjenevë, ishin sintezë e qartë se çfarë nuk shkon në sportin më popullor.
FIFA është përgjegjëse për rregullimin e transfertave mes klubeve në shtete të ndryshme, bazuar në një akord të vitit 2001 me Komisionin Europian. Këtë të fundit e thirri në skenë kreu i UEFA-s.
“Limit maksimal për paga, një taksë luksi, kufizim të numrit të lojtarëve dhe reformim të merkatos. krijim gjithashtu të një dhome me pushtet për të kontrolluar fluksin e parave, taksë solidariteti për futbollin e fëmijëve dhe limit të huazimeve”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
Top Channel