Futbollisti i Bayern Munchen që pengoi kalimin e Coutinho te Barça

20/09/2017 00:00

Nëse ka një fajtor për dështimin e kalimit të Coutinho te Barcelona, ai është Thomas Muller.

Është e përditshmja gjermane “Bild” ajo që e thotë këtë në një artikull të sajin, ku theksohet se Muller ishte faktori kyç në tratativat mes Barcelonës dhe Liverpulit.

Ashtu siç e pranoi edhe vetë ai, Coutinho e dëshiroi transferimin te nënkampionët e Spanjës dhe “The Reds” ishin gati ta lejonin kalimin e tij në “Camp Nou” për më shumë se 100 milionë euro, por, sipas “Bild”, kjo do të ndodhte vetëm pasi skuadra angleze të siguronte shërbimin e Thomas Muller, i cili u kërkua edhe nga trajneri Jurgen Klopp.

Por, përgjigjja negative e drejtuesve të Bayern Munchen, bënë që asnjë nga këto lëvizje të kryhej, me Liverpulin që e mbajti brazilianin Coutinho pavarësisht tentativave të bëra nga katalanasit deri në çastet e fundit të merkatos.

Top Channel