Basket, rikthehet derbi Partizani-Tirana

20/09/2017 00:00

Ndoshta do t’i mungojë derbi i futbollit Tirana-Partizani Superligës së futbollit, por dy skuadrat më të mëdha të të gjitha sporteve në vend, do të përballen në këtë vit në Superligën e basketbollit.

Pas 3 vitesh mungesë, Partizani ka arritur falë edhe punës së trajnerit Arben Fagu, të ngjitet në kategorinë më të lartë të këtij sporti, në përpjekje për të rikthyer emrin e Partizant të madh të dikurshëm në basketbollin vendas.

Një infrastrukturë që lë për të dëshiruar dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Partizanin. Thjesht për këtë palestër gjithçka ka mbetur në vend. Me djem të rinj, me përforcime minimale, Arben Fagu po përpiqet që të jetë brenda 4-shes së parë të këtij viti.

“Ajo që kemi si synim është që të ngremë një Partizan i cili të ketë dinjitetin e Partizanit që ka qenë në baskebollin shqiptar”, thotë Arben Fagu, trajner i Partizanit.

Rivali i tyre i përjetshëm, Tirana është kampionia në fuqi, me një nivel tjetër sa i përket momentit, megjithatë Fagu do t’u rikujtojë edhe një herë të gjithëve se basketbolli është një sport elitar.

“Unë uroj që derbi Tirana-Partizani të jetë si në kohët e shkuara. Gjithë sporti, basketbolli ka nevojë për publikun, por jo për agresivitetin dhe injorancën. Baskebolli është sport i intelektualëve, i njerëzve më kulturë”, thotë Fagu.

Ndërkohë tek “Farie Hoti”, aty ku stërviten kampionët e vendit është një tjetër pamje. Lojtar të huaj dhe basketbollistë profesionistë që do të përpiqen veç kampionatit të bëjnë mirë edhe në Kupën Ballkanike.

Trajneri grek i bardhebluve i sapo-emëruar Antonis Doukas thekson se kjo Tiranë me gjithë përforcimet e verës do të përpiqet të jetë e një niveli më lart se vitin e shkuar.

“Si fillim jam shumë i kënaqur që jam këtu. Kam vetëm 4 ditë që kam filluar punën dhe nuk kam një ide shumë të qartë për basketbollin shqiptar. Por, nga ajo që kam parë deri më tani mund të them se kemi lojtarë dhe skuadër të mirë, por duhet të punojmë shumë. Mesa kam folur edhe me bordin e klubit do të kërkojmë që të bëjmë një hap përpara krahasuar me një vit me pare. Mund të them se edhe lojtarët shqiptarë janë shumë të mirë dhe i vetmi ndryshim me të huajt është mënyra sesi e shohin basketbollin, gjë që do ta rregullojmë dhe nuk do të jetë problem për ne”, thotë Antonis Doukas, trajneri i bardhebluve në baskeboll.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta