
Ish-kryetari i fushatës së Donald Trump, Paul Manafort është përgjuar me urdhër të fshehtë gjykate, në mesin e shqetësimeve për lidhje me rusët, e më vonë nën dyshimin se kishte komunikuar me operativë të Moskës, që kërkonin të ndikonin në zgjedhjet amerikane.
Mandati është lëshuar përpara se Robert Mueller të caktohej në krye të hetimit të FBI-së mbi përfshirjen e supozuar ruse në presidencialet e vitit 2016. I pari që e raportoi lajmin është CNN.
Sipas tij, Byroja Federale e Hetimit e ka nisur vëzhgimin që në vitin 2014, kur Manafort u bë subjekt i një hetimi, nxitur nga aktiviteti konsultativ i disa firmave në Uashington për ish-presidentin prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.
Tani mësohet se qeveria amerikane i ka dëgjuar bisedat e Manafort përgjatë fushatës presidenciale dhe zgjedhjeve, edhe pse jo në mënyrë të vazhdueshme, dhe mbikëqyrja e saj përfshin periudhën kur Manafort u vu në krye të fushatës së manjatit të pasurive të patundshme.
Por, duke qenë se përgjimi nuk ka qenë i vazhdueshëm gjatë asaj periudhe, FBI-ja nuk ka dëgjuar se çfarë është thënë gjatë takimit të tij në kullën “Trump”, me të birin e republikanit njujorkez, Trump Junior, dhe një avokate ruse të lidhur me Kremlinin, që pretendonte se kishte informacione dëmtuese mbi Hillary Clinton.
Nuk është ende e qartë nëse në regjistrimet e FBI-së, pjesë e një operacioni më të gjerë të inteligjencës, është dëgjuar ndonjëherë të flasë edhe vet Trump.
Top Channel