
Uragani “Maria” ka sjellë shkatërrim masiv në Dominica, pas shndërrimit në stuhi të kategorisë së pestë kur preku tokën e këtij ishulli të Karaibeve.
“Kemi humbur gjithë çfarë mund të blihet me parà”, shkroi në “Facebook” kryeministri i tij, Roosevelt Skerrit. Më herët, Skerrit kishte postuar një seri mesazhesh “live”, ndërsa vet çatia e godinës ku ai ndodhej u shkul nga era. “Jemi krejtësisht në mëshirën e uraganit”, thuhej në njërin prej tyre.
“Maria” po lëviz gati në të njëjtën trajektore me “Irmën”, që rrënoi rajonin këtë muaj. Tani erërat e saj shkojnë maksimumi në 250 km në orë dhe është ulur në uragan të kategorisë së katërt, por ekziston rreziku që të forcohet sërish, ndërsa zhvendoset drejt Porto Ricos dhe ishujve Virgin.
Për kryeministrin e Dominicës, vala e dëmeve është e pallogaritshme. Prioritet tani, sipas tij, ka shpëtimi i personave të bllokuar dhe sigurimi i asistencës mjekësore për të lënduarit.
“Do të nevojitet shumë ndihmë, – thotë Skerrit. – Ndihme e çdo lloji qoftë”. Ishulli fqinj i Martiniques ka shpallur gjendjen e gatishmërisë së nivelit më të lartë dhe një tjetër ishull francez, Guadeloupe, urdhëroi evakuime në masë.
Territori amerikan i Porto Ricos është gjithashtu në trajektoren e stuhisë. Aty “Maria” pritet të mbërrijë me forcë të reduktuar, por kjo nuk e fashit sidoqoftë shqetësimin e banorëve.
“Jam në merak, sepse, edhe pse ne vet nuk pësuam dëme serioze nga uragani i fundit, disa njerëz në zonë u prekën shumë prej tij. Ka ende shtëpi që nuk kanë energji elektrike”, tha Geisha, banore e Porto Rikos.
Në disa zona, “Maria” pritet të shkaktojë dallgë deri në 3 metra të larta.
Top Channel