
Punën e parë si ministre të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do ta nisë pikërisht me atë që bëri në filim kur u vu në krye të QSUT-së, shembjen e ndërtimeve brenda territoreve të spitaleve në të gjithë vendin.
“Brenda 100 ditëve hapësirat e jashtme të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të pastrohen nga të gjitha ndërtimet, aktivitetet e të cilave nuk kanë lidhje me aktivitetet shëndetësore, por nga ana tjetër pengojnë ndjeshëm cilësinë e këtyre aktiviteteve”, ka deklaruar Manastirliu.
Aksioni për prishjen e objekteve pa leje do të kryhet nga Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Por paralelisht ministrja Manastirliu paralamjëroi dhe hapjen e konkursit për përzgjedhjen e drejtorëve të rinj të spitaleve, të cilëve para pak kohësh iu kërkua dorëheqja nga kryeministri Rama.
“Në vazhdim, në bashkëpunim me 17 drejtuesit e rinj të spitaleve rajonale e universitare në gjithë vendin, që do të zgjidhen përmes një konkursi publik që ne do të kryejmë brenda një afati 35-ditor duke nisur nga sot, ne do vëmë në zbatim planin tonë për transformimin e tyre në institucione të denja të trajtimit shëndetësor”, ka thënë Manastirliu.
Në garë për drejtues të spitaleve mund të futen dhe ata që e kanë mbajtur këtë post gjatë katër viteve të kaluara. Kandidatët do të konkurrojnë me ide dhe vizion që kanë të bëjnë me transferimin e spitaleve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve.
Top Channel