
Donald Trump do ta përdorë fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të bërë thirrje për aksione ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit, vende që ai do t’i paraqesë si kërcënime binjake ndaj sigurisë globale.
Thelbi i fjalimit u bë i ditur për mediet nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, që thanë se presidenti do të paralajmërojë anëtarët e OKB-së se rrezikojnë të jenë spektatorë në histori, nëse nuk mobilizohen për t’u përballur me këto kërcënime.
Ndërsa fjalimi i Trump do të përqëndrohet te regjimet që kërcënojnë sigurinë, ai gjithashtu do të shpalosë vizionin e tij sesi vendet anëtare të OKB-së mund të bashkëpunojnë përballë sfidave të tilla, pa kompromentuar sovranitetin e tyre.
Megjithatë, ende pa u mbajtur fjalimi i Trump, shumë analistë thonë se, nëse vërtet ai do të përqëndrohet te Koreja e Veriut dhe Irani, nuk mund të shmangë krahasimim e fjalimin e George Bush para kombit në vitin 2002, kur ish-presidenti i përshkroi Korenë e Veriut, Iranin dhe Irakun si “aksi i së ligës”.
Në fjalim, presidenti Trump do të flasë gjithashtu edhe për krizën në Venezuelë dhe kërcënimin terrorist në botë. Ndërsa Koreja e Veriut është një objektiv i lehtë, pasi po i shkakton kokëçarje edhe aleatëve të vet, Trump do ta ketë më të vështirë të grumbullojë mbështetje kundër Iranit, i cili në vitin 2015 nënshkroi marrëveshjen për programin bërthamor me fuqitë botërore, e pjesa dërrmuese e tyre – me përjashtim të SHBA, – thonë se Teherani po e respekton atë.
Top Channel