
Deklaratën e Jean-Claude Juncker, gjatë fjalimit të mbajtur përpara Parlamentit Europian javën e kaluar, se “blloku duhet ta përvijojë në mënyrë të besueshme perspektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor”, analisti politik i “Open Society European Policy Institute”, Srdan Cvijiç e konsideron si mjaft pozitive.
Megjithatë, Bashkimi Europian – sipas tij, – duhet të kalojë në veprime konkrete. Fjala e Junckerit më 13 shtator shënoi – sipas tij, – të parën herë që perspektiva e anëtarësimit të rajonit shqiptohet qartë në njërin prej fjalimeve më të mëdha mbi gjendjen e BE-së.
Kjo në vetvete përbën një zhvillim tejet pozitiv, ama për Cvijiç ka edhe një “por…”.
“Pa një perspektivë të qartë zgjerimi, aftësia e BE-së për të ndikuar mbi ndryshimet në rajon ka qenë ekstremisht e kufizuar, të paktën që prej viteve 2009-2010. Pas fjalimit të Juncker, ne presim që Bashkimi Europian të kalojë nga fjalët te veprat, në raport me vendet kandidate, si dhe t’i kushtojë progresit real në fushën e sundimit të ligjit, të njëjtën rëndësi që i dha edhe mbylljes së rrugës së emigrantëve në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2015-2016”, tha Srdan Cvijiç, analist i “OSEPI”-t.
Kreu i Komisionit Europian deklaroi javën e kaluar se, Europa duhet të ndjekë një projekt të besueshëm shtrirjeje në Ballkanin Perëndimor, por shtoi se asnjë prej vendeve të rajonit nuk mund t’i bashkohet bllokut brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019.
“Asnjë kandidat nuk është gati ende, – ishte komenti i tij, – por më pas, BE-ja do të jetë më e madhe sesa 27 në numër”.
Top Channel