
Gjiganti amerikan “Toys ‘R’ Us”, zinxhiri më i madh i dyqaneve të lodrave për fëmijë në Amerikë, depozitoi kërkesën për mbrojtje nga falimenti, shenja më e fundit kjo e telasheve që kanë përfshirë tregtinë vendase me pakicë.
Veprimi i drejtuesve të firmës vë në pikëpyetje të ardhmen e rreth 1.600 dyqaneve, me gati 64 mijë të punësuar. Ai vjen në kohën kur “Toys ‘R’ Us” po përgatitej për sezonin e blerjeve festive, gjatë të cilit regjistrohet edhe numri më i madh i shitjeve.
Edhe pse një lëvizje e tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e kompanisë ikonë, të themeluar në vitin 1948, ai përbën sërish një kapitull mjaft të errët në historinë e saj.
“Toys ‘R’ Us” ka marrë garanci, mbi financime që mbërrijnë në 3 miliardë dollarë, nga huadhënës që përfshijnë edhe “JP Morgan”.
Këto parà do të sigurojnë furnitorët e saj se do të paguhen për ngarkesat e “Lego”-ve dhe kukullave “Barbie”, që kanë dërguar për sezonin e festave. Njësia kanadeze e firmës do të kërkojë paralelisht mbrojtje, ndërsa procedurat do të zhvillohen në Gjykatën e Lartë të Ontarios.
Operacionet jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, përfshirë këtu rreth 255 dyqane të licencuara dhe partneritete biznesi në Azi që janë entitete të veçanta, nuk konsiderohen pjesë e procesit të falimentimit.
Top Channel