
Tregtia e kafshëve për konsum është rritur ndjeshëm në Europë vitet e fundit, por sipas një hetimi të BBC-së, në përpjestim të drejtë është rritur edhe injorimi i mirëqenies së kafshëve.
BBC zbuloi se, në udhëtimet e gjata të kafshëve me kamionë përmes Europës, transportuesit shkelin rregullisht ligjet e BE-së për mbrojtjen e kafshëve.
Monitorimi nisi në Bullgari, pika e hyrjes së kafshëve nga Turqia dhe Lindja e Mesme për në BE, por sipas BBC-së, fenomi është vënë re edhe në transportin e kafshëve brenda Europës.
Gjatë 5 viteve të fundit, vetëm Britania e ka trefishuar eksportin e bagëtive të ndryshme, ndërsa në total në BE, vitin e fundit kjo tregti arriti në më shumë se 4 miliardë euro.
Një nga problemet kryesore janë kufijtë e Europës me vende si Turqia, ku radhët e gjata në dogana janë një torturë për kafshët, që gjenden edhe të ngordhura në makina.
Por, edhe brenda Europës, ku nuk ka kufij e pengesa të tilla, udhëtimet e gjata shpesh prej mbi 10 apo 15 orë, janë sërish dërrmuese për kafshët që i përballojnë ato pa ujë e ushqim.
Rregulloret ekzistojnë në masë, por transportuesit përpiqen dhe i shmangin rregullisht, pasi edhe kontrollet janë shumë të rralla. BBC-ja zbuloi gjithashtu se, kur kafshët dalin jashtë Europës, ato udhëtojnë për ditë të tëra drejt skajeve të Turqisë, Lindjes së Mesme apo edhe më larg, ku çdo rregullore për mbrojtjen e tyre apo standard sigurie humb çdo vlerë.
Sipas zyrtarëve të BE-së, implementimi i ligjeve është një problem që duhet riparuar, por aktivistët për mbrojtjen e kafshëve thonë se e kanë dëgjuar shpesh këtë dhe kurrë s’është bërë asgjë.
Top Channel