Paqe ne “Selman Stërmasi”, Partizani-Kukësi mbyllet në barazim

18/09/2017 00:00

Sfida kryesore e javës së dytë në Kategorinë Superiore nuk nxori asnjë fitues mes Partizanit dhe Kukësit.

90 minutëshi në stadiumin “Selman Stërmasi” u mbyll me rrjeta të paprekura, një barazim 0-0 që nuk kënaq asnjë prej ekipeve pretendente për titullin.

“Demat e kuq” morën pikën e parë këtë sezon, por ishin larg pritshmërive si në lojë dhe rezultat, duke u distancuar që tani nga kreu. Ndërkohë, Kukësi humbi shansin për të qenë me pikë të plota në renditjen që sheh në vend të parë Teutën.

Për Partizanin debutoi Edgar Cani, ndërsa në formacion ishte edhe portieri Hoxha, i cili zgjidhi mosmarrëveshjet me drejtuesit e klubit. Vetëm 15 sekonda i duhen Canit për t’u prezantuar si duhet me Shametin, duel force me mbrojtësin që gjithsesi ngrihet shpejt për të dhënë sinjalin e parë. Provë e rëndësishme për Iulianon pas disfatës së parë edhe pse nuk ka shkëlqyer as Milinkovic këtë fillim sezoni. Rast i shkëlqyer për Kukësin në minutën e 12 me Kale që i vjedh topin Ibrahimit dhe depërton në zonë, por, shpërdoron në mënyrë të pafalshme.

Në të 14 ka një tentativë të Idi Bathës me topin që shkon shumë lart për dëshpërimin e tifozëve të kuq. E pamundur të deshifrosh fytyrën e Luciano Moxhit, shumë më ekspresive fytyra e presidentit Safet Gjici,  janë minuta më të mira për skuadrën e Iulianos që gjithsesi nuk arrin të shërbej Canin me Prognin që nuk arrin të godasë si duhet në të 24-ën.

Tifozëve të kuq ju duhet të mbeten ende në pritje të golit të parë në kampionat, me ritmin që ulet disi pas gjysme orë lojë, me pjesën e parë që nuk ka shumë për të treguar përveç dueleve të forta në mesfushë.

Në pjesën e dytë ka acarim te tifozët e kuq me arbitrin që thërret Hoxhën për t’i qetësuar, në të 52 shkon shumë lart goditja e Idriz Bathës, ndërsa dy minuta më vonë Cani ka pretendim për 11 metërsh pas një rrëzimi në zonë, nuk qëndron sipas kryesorit Xhaja. Rastet më të mira gjithsesi i ka Kukësi, si i Kale që vepron bukur për të nxjerrë të lirë Gurin që shpërdoron një shans ideal për golin.

Në minutën e 58 Progni ja del të rezistojë në zonë, por goditja është drejt e në duart e Kolicit në të 64,  Trashi bën gjeometrin duke shpikur një trajektore ideale për të prezantuar Canin para Kolicit por ja del t’i paraprijë portieri sulmuesit të kuq.  3 minuta më pas Cani i hap rrugën goditjes së Adorjan, qendrore nuk shqetëson më shumë se ç’duhet Kolicin.

Përfundon pas 70 minutash ndeshja e Edgar Canit që i lë vendin Sukajt, ka një goditje të Kotobellit që shkon jashtë kuadrati dhe minutat në vijim janë të gjitha për Partizanin që kërkon me ngulm golin. Në të 84 Xhevahir Sukaj na kujton se prej çfarë brumi është gatuar me një goditje klasi fluturimthi me topin që nuk gjen katërkëndëshin.

Në të 88 vetëm një Kolici në kostumin e “Supermen” mund të shpëtojë portën e Kukësit në një goditje kalibri të Idi Bathës, vërtet fantastik portieri i Kukësit që tejkalon vetveten në këtë rast, me Partizanin që mbetet para deri në fund por pa arritur të shënojë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta