
“Burberry” prezantoi koleksionin e saj të ri në javën londineze të modës mes protestave të aktivistëve në mbrojtje të kafshëve që kundërshtojnë përdorimin e gëzofit dhe emrave të njohur si Naomi Campbell, Kate Moss dhe Cara Delevingne si të ftuara nderi.
Në “show”-n e fundit të saj, shtëpia e famshme e modës eksperimentonte me ngjyrat e format, por sërish nuk la pa e rikthyer dizenjon e shndërruar në shenjën e vet dalluese.
Stofi skocez dhe plastika ishin përdorur më tepri në krijimet e fundit të “burberry”-t, ndërsa mes ngjyrave mbizotëruese rreshtohen roza pastel, e gjelbra dhe bluja. Edhe kthimi i dizenjos tipike të saj, të përdorur fillimisht në 1920-n si imazh i trashëgimisë britanike, nuk mund të vinte në një kohë më të mirë, duke pasur parasysh mallin e ripërtërirë për të shkuarën.
Elementi “vintage” gjente përdorim të gjërë edhe tek aksesorët. Bizhutë tërhoqën po ashtu vëmendje të madhe me kristalin e përdorur pa kursim dhe vëthet e mëdhenj të ekzagjeruar, të mbajtur vetëm në njërin vesh.
Mes modeleve që hijeshuan pasarelën ishte dhe 25-vjeçarja me origjine nga Gana, Adwoa Aboah që po bën bujë të madhe në industrinë e modës, si dhe vajza e legjendares Cindy Craëford, Kaia.
Java londineze e modës nxori në plan të parë supermodelet e reja, ndërsa riktheu me forcë frundat, ngjyrën e verdhë dhe syzet e vogla të diellit, nostalgji e viteve ‘90.
Top Channel