Incidenti në Singapor, FIA nuk bën asnjë fajtor

18/09/2017 00:00

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit nuk mori asnjë masë ndëshkuese për Vettel, Raikkonen apo Verstappen, protagonistë të një aksidenti në fillimin e garës në Singapor.

Sipas drejtuesve të FIA-s, asnjë prej pilotëve nuk ishte fajtor në përplasjen mes tyre.

Në momentin e fillimit të garës, Verstappen hyri mes dy makinave Ferrari, me Raikkonen që u përpoq të kalonte holandezin në të majtë, ndërkohë që Vettel u përpoq të kalonte përpara në krahun tjetër.

Lëvizja e parakohshme bëri që të 3 pilotët të përplaseshin, përpara se të ndodhte edhe incidenti i dytë mes Raikkonen dhe Verstappen.

Vettel kërkoi të vazhdonte garën, por dëmi ishte bërë, kështu që pilotët e braktisën shumë shpejt Çmimin e Madh të Singaporit.

“Komisarët e garës e ekzaminuan videon dhe dëgjuan versionet e Vettel, Raikkonen e Verstappen”, lexohet në komunikatën e FIA-s. “Ata arritën në përfundimin se asnjë prej pilotëve nuk mund të quhej fajtor në mënyrë të veçantë për incidentin, kështu që ndaj tyre nuk u mor asnjë masë disiplinore”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta