Milinkoviç: Ndaj Partizanit për fitore

16/09/2017 00:00

Kukësi-Partizani është ndeshja kryesore e javës së dytë të kategorisë Superore. Skuadra kampione në fuqi vjen pas një momenti jo shumë të mirë pasi humbi Superkupën ndaj Tiranës si dhe në Kupë ndaj Egnatias.

Trajneri Mlladen Milinkoviç pranoi se skuadra e tij nuk është në formën më të mirë, por shtoi se ndaj Partizanit do të luhet për të fituar.

“As ne, as Partizani nuk jemi në formën më të mirë, por ndeshje të tilla tregojnë gjithmonë një tjetër histori. Janë sfida ku diferencën në fushën e lojës mund ta bëjë edhe një futbollist i vetëm. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për të korigjuar gabimet e bëra me Kamzën. Duhet të impenjohemi pasi e dimë që Partizani nuk është ai i ndeshjes me Laçin dhe jam i sigurtë se ndaj nesh do të luajë shumë mirë. Do të hyjmë në fushën e lojës për të fituar dhe jo vetëm ndaj Partizanit, por edhe kundër ekipeve të tjera pasi vetëm kështu mund të arrijmë objekltivat tona”, deklaroi trajneri kuksian, Milinkoviç.

Ndërkaq, Partizani ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore me dyer të mbyllura. Edhe “Të kuqtë” nuk po kalojnë momente të mira dhe kjo jo vetëm për shkak të humbjes me Laçin, por edhe për problemet e brendshme të shfaqura së fundmi sidomos me kapitenin Hoxha, që dorëzoi edhe shiritin e kapitenit.

Përsa i përket skuadrës, i vetmi që nuk do të jetë ne dispozicion të trajnerit Iuliano është Fejzullahi, i cili u dëmtua në ndeshjen e Kupës ndaj Naftëtarit dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 2-3 javë.

Top Channel