Një bombë artizanale ka shpërthyer në një tren, në jug-perëndim të Londrës, mëngjesin e të premtes, në orën e pikut.
Shpërthimi, në stacionin Parsons Green, në trenin nga Uimbëlldon, po trajtohet sipas Scotland Yard, si terrorizëm. 29 persona janë trajtuar në spitale, pjesa më e madhe për djegie.
I ashuquajturi Shteti Islamik, thotë se ai qëndron pas sulmit, ndërkohë, një operacion i madh kërkimi ka nisur për personin që vendosi mjetin shpërthyes në tren.
Kryeministrja Theresa May dënoi sulmin, që sipas saj kishte si qëllim të shkaktonte dëme të mëdha. Ajo tha ndërkohë, se niveli i kërcënimit terrorist ishte rritur në një pikë kritike, çka do të thotë që sulme të mundshme priten.
Duke folur në Dauning Street, pas një takimi të komitetit të emergjencave Cobra, ajo tha se do të kishte prani të shtuar policore në sistemin e transportit të Londrës.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka biseduar me kryeministren May për t’i shprehur mbështetjen dhe ka premtuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Londrën për të ndaluar sulmet dhe për të luftuar ekstremizmin.
Më herët ai kishte shkruar në Twitter se persona të sëmurë dhe me probleme, të njohur nga policia metropolitane, qëndronin pas sulmit, duke bërë që kryeministrja May të thoshte se nuk ishte mirë të spekulohej për një hetim në vazhdim.
Bomba duket se ka dështuar të shpërthejë, e nëse kjo nuk do të kish ndodhur, ekspertët vlerësojnë se do t’i kishte marrë jetën të gjithë personave që ndodheshin në vagon.
Top Channel