
Bashkia e Tepelenës ka ndërmarrë një aksion ku u përfshinë shumë forca të policisë bashkiake dhe policisë së rendit për të larguar stendat e një tregëtari ambulant në zonën e Ujit të Ftohtë rreth 5 km larg Tepelenës dhe buzë rrugës nacionale Tepelenë – Gjirokastër.
Në këtë hapësirë, prej vitesh shesin mjaltë dhe bimë medicinale 9 tregëtarë ambulantë prej zonave përreth të gjithë me kontrata qiraje 6-mujore, ose 1-vjeçare me Bashkinë e Tepelenës për hapësirën publike që shfrytëzojnë.
Aksioni, sipas bashkisë, synon t’i çelë rrugën fillimit të punimeve për një investim privat në fushën e turizmit, që sipas Aleksandër Totit, zëdhënës i bashkisë është me interes të lartë ekonomik për zonën.
Tregëtari që iu larguan stendat ka kërkuar vendimin për prishjen e marrëveshjes me të dhe një vendim të Këshillit Bashkiak që autorizon kryerjen e këtij investimi. Ai është përplasur me policinë dhe ka refuzuar të pastrojë territorin, por aksioni ka vijuar dhe objektet janë larguar forcërisht.
Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë investimi privat, që do të zgjasë 24 muaj, pritet të transformojë zonën e Ujit të Ftohtë për ta kthyer në një kompleks turistik me vlerë rreth 1 milionë euro.
Top Channel