Pas një misioni 13-vjeçar e një kostoje prej 4 miliardë dollarësh, sonda hapësinore “Cassini”, të cilës po i mbaronte karburanti, u vetëshkatërrua me një lëvizje të fundit drejt Saturnit.

Ajo hyri në atmosferën e planetit të unazave me një shpejtësi marramendëse, por rezistoi për një minutë, përpara se të bëhej copash.

Shkencëtarët shpresonin që të mblidhnin informacione mbi përbërjen kimike të gazeve të Saturnit, deri në momentet përpara se “Cassini” të humbsite kontaktet me Tokën.

Përmes kësaj metode, NASA vendosi t’i japë fund historisë së sondës, që përcolli gjatë një dekade në hapësire të dhëna të vyera mbi hënat e Saturnit, përfshirë ato të elementëve për ekzistencën e jetës.

“Në fazën e dizenjimit nuk e kishim idenë se ekzistojnë botë me oqeane në Sistemin tonë Diellor”, pohon inxhinierja e sistemeve, Morgan Cable. “Këto botë me oqeane mund të nënkuptojnë se ka jetë”.

Një zbulim i papritur erdhi nga caku jugor i “Enceladus”, një prej hënave që rrotullohen përgjatë unazave të Saturnit. Aty duket ka një oqean të lëngshëm nëntokë, që herë pas herë e çan sipërfaqen dhe shpërthen mbi të.

Pajisjet e “Cassini”-t mundën të regjistrojnë gazin që dilte nga të çarat. Ekspertët tani e dinë se ka kripëra në atë vend, e kjo ka rëndësi për zhvillimin e jetës, së cilës i duhen minerale dhe kripëra për të ekzistuar.

Sonda arriti gjithashtu të dërgonte prova se, thellë në këtë oqean ekzistojnë rryma hidrotermale. Në planetin tonë, aty  ku ka rryma të forta të tilla, gjenden edhe komunitete të populluara me organizma.

Top Channel