Fiks Fare / Ndihma për Ambrin “e ngujuar”

15/09/2017 00:00

Pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të rastit të Ambrit, 11-vjeçar, fëmijës i cili nga frika e gjakësit duhet të ndiqte shkollën nga një tjetër fshat, ka reaguar Agjencia “Stop Krimit”.

Fatmir Sena, drejtori i kësaj agjencie falënderon “Fiksin” për sensibilizimin. “Të gjithë anëtarët e agjencisë sonë kontribuan për rastin e Ambrit me ushqime, lodra dhe vesh-mbathje. Për këtë falenderojmë Top Channel që ka ngritur një problem të tillë”, tha Sena.

Ndërkohë mamaja e Ambrit, me lot në sy vazhdon t’i kërkojë shtetit që djali i saj të shkollohet në fshatin e tij në Barbullush. “Falenderoj “Fiks Fare” që po na ndihmon, po ashtu edhe Agjencinë ‘Stop Krimit’, por kam një lutje për shtetin, që Ambrin ta shkolloj tek njerëzit e tij, tek gjaku i tij”, tha mamaja e të miturit.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së pajtimit të gjaqeve, Nikoll Shullani, tregoi për emisionin investigativ se janë 8 raste fëmijësh në të gjithë qarkun e Shkodrës që nuk frekuentojnë shkollën për shkak të gjakmarrjes.

“Ka qenë shumë më i madh numri para dy vitesh, por tani është ulur. Kemi 8 raste me fëmijët nuk ndjekin shkollën sepse nuk kanë marrë besë nga gjakësit”, tha Shullani.

Për rastin e Ambrit ai u shpreh i lumtur që ka marr besë pa afat për t’u shkolluar jashtë fshatit të tij. “Për Ambrin kemi besë pa afat, për ta shkolluar jashtë fshatit Barbullush. Nëse dikush e vret Ambrin jashtë fshatit të tij ma ka gjakun borxh mua. Unë duhet të vras për të”, tha kryetari Nikolla.

Top Channel