
E zbuluar 10 vite më parë dhe e mbuluar 10 vite më parë. Kjo është gjendja e Bazilikës së Bezistanit në qendër të qytetit të Elbasanit, e cila tashmë është shndërruar në gropë. Askush nuk ka bërë asgjë në këtë dekadë për ta bërë të aksesueshme për turistët apo për qytetarët e Elbasanit.
E cilësuar si një nga zbulimet më të rëndësishme, menjëherë Bazilika u shpall Monument Kulture i kategorisë së parë. Bëhet fjalë për vitin 2007. Sot, gjendja është kjo, ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit thotë se ky është një turp për dy ministri.
“Para disa kohësh mora një vendim për mbulimin e mozaikut. Unë një ditë do e mbuloj sepse e kam zbuluar vetë dhe sepse nuk mund të rrijë gropë në qendër të qytetit. Është turp për Institutin e Arkeologjisë, turp për Institutin e Monumenteve dhe turp për të dy ministritë”, tha Qazim Sejdini.
Me zbulimet e deritanishme këtu ka 25 metra mozaik, në të cilin, përveç dy figurave njerëzore, në përbërje të tij ka edhe elementë të tjerë të cilët tregojnë skemën e përjetësisë dhe janë realizuar me një mjeshtëri të rrallë. Monumenti i Kulturës vazhdon të jetë i varrosur, ndërsa turistët dhe vetë qytetarët, përmes disa fotove, përpiqen të imagjinojnë se çfarë ka nën tokë.
Top Channel