150 kryepleq dhe këshilltarë i detyrohen shtetit 85 mln lekë

15/09/2017 00:00

Në fund të dhjetorit 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga auditi në Bashkinë e Librazhdit doli me një raport. 150 kryepleq dhe anëtarë të këshillëve të komunave duhet t’i kthenin shtetit vlerën prej 85 milionë lekësh, për shkak të mospjesëmarrjes në mbledhjet që janë kryer në harkun kohor 2013-2015.

Në “Fiks Fare” erdhi një ankesë nga kryepleqtë dhe këshilltarët e “akuzuar” nga KLSH. Në letër ata pohonin se kishin qenë prezentë në këto mbledhje dhe madje për këtë kishin vërtetime nga zyra juridike e Bashkisë së Librazhdit.

Kryepleqtë, si të zgjedhur nga këshilli i komunës (aktualisht zgjidhen nga këshilli i bashkisë), shpreheshin se ligji e përcakton qartë se ata nuk janë të detyruar të marrin pjesë në këto mbledhje. Paratë që ata marrin janë një formë shpërblimi për punën që kryejnë në komunitet.

Në këto kushte, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Bashkisë së Librazhdit. Kryetari i saj, Kastriot Gurra u shpreh se në raport ka elementë që nuk përputhen, ose, siç e quajti ai, një ngërç.

“Shqetësimi i këtyre personave që janë ankuar në emisionin “Fiks Fare” është i drejtë. Për këtë çështje kam urdhëruar zyrën juridike që t’i shikojë rast pas rasti të gjithë personat që janë në këtë listë auditi”, sqaroi Gurra.

Gazetarët për këtë ankesë vunë në dijeni edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, kryetari i të cilit urdhëroi ngritjen e një grupi pune që do të verifikojë këtë akt kontrolli. Nëse grupi i punës do të gjejë shkelje, atëherë këto gjoba do të anulohen.

Në shkresën e KLSH-së thuhet se, për pagesat që do të rezultojnë në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi do të procedohet me marrjen e masave administrative e ligjore për arkëtimin e tyre.

Top Channel