Tjetër raketë mbi Japoni. Koreja e Veriut kërcënon sërish fqinjët

14/09/2017 00:00

Koreja e Veriut nuk heq dorë nga provokimet. Vendi komunist lëshoi një tjetër raketë balistike mbi Japoni, e dyta brenda disa javësh.

Ushtria koreano-jugore thotë se raketa mbërriti një lartësi prej 770 km dhe udhëtoi për 3.700 km, përpara se të rrëzohej në Paqësor, pranë ishullit të Hokaidos.

I nervozuar, kryeministri japonez Shinzo Abe deklaroi se vendi i tij nuk ka për t’i toleruar kurrë veprime të tilla prokovuese.

“Ne nuk do të durojmë që Koreja e Veriut të marrë nëpër këmbë vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për paqen, e cila duket qartë në rezolutat e OKB-së. Nëse Peniani do të vazhdojë të ndjekë rrugën që ka nisur, e ardhmja e tij nuk ka për të qenë e ndritur”, tha Abe.

Distanca e përshkuar nga raketa është e mjaftueshme për të mbërritur deri në ishullin e Guamit, territor i Shteteve të Bashkuara në oqeanin Paqësor.

Presidenti amerikan Donald Trump u informua mbi ngjarjen, ndërsa Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e dënoi ashpër lëshimin, që bie ndesh me sanksionet e OKB-së. Kryediplomati amerikan ia kaloi barrën e reagimit Rusisë dhe Kinës, partnerët kryesorë ekonomikë të Penianit, duke i lënë të kuptohet se duhet t’i tregojnë regjimit të këtij vendi se nuk pajtohen me veprimet e tij.

Lëshimi i raketës ndodhi një ditë pasi Koreja e Veriut kërcënoi ta fundosë Japoninë dhe t’i bëjë “hi” Shtetet e Bashkuara, për shkak të mbështetjes së rezolutës së Këshillit të Sigurimit për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj saj, rrjedhojë e testit bërthamor të 3 shtatorit.

Veriu akuzon Shtetet e Bashkuara, që kanë 28.500 trupa në Jug, se po planifikojnë pushtimin e tij dhe rregullisht kërcënon se do të shkatërrojë SHBA-të dhe aleatët e saj aziatikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA