
Qeveria mori votëbesimin e Parlamentit në një klimë krejt ndryshe nga çdoherë tjetër. Edi Rama tashmë ka vetëm një pengesë përpara tij, veten e tij. Triumfi i 25 Qershorit i lë tashmë vend përgjegjësisë, por edhe ankthit për një qeveri të vogël në numër ministrash, por me pushtet të madh dhe të pakontrolluar përballë një opozite të dobësuar.
Kryeministri Edi Rama foli në Top Story me Sokol Ballën për përparësitë e qeverisë, për ministrat, për marrëveshjen me opozitën. A do të jetë ky një kabinet që do t’i rezistojë kohës? A do t’i telefonojë Lulzim Bashës? A ka folur me Ilir Metën? A ka gjetur përfundimisht gjuhën me Partinë Socialiste? A ka më në fund një detante me Greqinë dhe përse ndryshoi mendje për Ministrinë e Europës?
Intervista e plotë
Sokol Balla: Vendimet e para ishin vendime që nuk mund t’i shmangin pyetjet, morët vendim për Skënderbeun, për certifikatat dhe dy vendime të tjera, një i dhatë zyrë bujar nishanit dhe kompensuat pallatin që prishët në Vlorë, ku aksionerë janë të afërm të kryetarit të opozitës.
Edi Rama: Kjo e dyta është e pavërtetë dhe më vjen keq që kazani mediatik prodhoi një tjetër broçkull. E vërteta është ndryshe. Ne kemi ndërmarrë një proces normal shpronësimi në kohën kur u zhvillua gjithë ajo zallahia për prishjen e asaj godine. Shifra është kontestuar nga pala e dëmtuar. Kontestimi i palës ka rënë në duart e një gjykatësi që është shumë i njohur për vendime skandaloze rritjesh të çmimeve të shpronësimeve të qeverisë, që ka arritur në pikën që të japë një vendim ekzemplar duke ndaluar shpronësimin për interes publik të një karburanti mu në aksin e Lungomares në Vlorë. Ky gjykatës ka katërfishuar vlerën e shpronësimit dhe procesi vazhdon në gjykatën e lartë. Nuk është lëvruar asnjë para sepse procesi vazhdon. Ky akt është krejtësisht në kundërshtim me çdo sens logjik dhe ligjor. Pala ka shkuar në Strasburg dhe atje është ankuar që nuk po na japin paratë, ndërkohë që nuk ka përfunduar procesi. Sa i takon bujar nishanit, ne kemi vendosur një standard që shërbimet qeveritare u ofrojnë një shërbim minimal ish-presidentëve të republikës. Ata kanë një godinë pranë ish-zërit të popullit dhe prej kohësh këtë shërbim minimal që shteti u ofron, qoftë Moisiut dhe mejdanit e kanë. Këtë ja kemi ofruar edhe ish-presidentit nishani. Këtu përfundon historia.
Sokol Balla: Ndërkohë që Ruçi i ndërpreu fjalën Berishës, ju transmetonit fjalën e Lulzim Bashës në facebook-un tuaj. Keni një ide të qartë se me kë doni të komunikoni nga ana e opozitës.
Edi Rama: Në ERTV i është transmetuar fjala e plotë kur ka nisur çadrën. Së dyti ERTV është një projekt në zhvillim dhe do të ketë të reja të tjera. Së treti, Basha është kryetar i opozitës, pavarësisht se Berisha është lider legjendar, që i tepron atyre që e shohin të tillë akoma. Të tjerëve nuk ka asnjë arsye pse tu marrësh kohë duke nxjerrë liderin legjendar.
Sokol Balla: Dy partitë kryesore të opozitës duket se kanë hedhur bazat e një bashkëpunimi. Po shkojnë drejt një bashkëpunimi që mund të prodhojë marrëveshje. A ju shqetëson kjo? Dhe a ka vdekur marrëveshja juaj me Bashën?
Edi Rama: Më shqetëson vetëm sesi t’u kthejmë njerëzve pas investimin që ata bënë më 25 qershor. Ky është i vetmi shqetësim sepse na kanë dhënë një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe jemi të sfiduar që të jemi në lartësinë e kësaj përgjegjësie dhe kjo nuk varet as nga PD, as nga opozita pas kurrizit të PD, as nga lideri legjendar dhe as nga shumë të tjerë, varet vetëm nga ne.
Sokol Balla: Ndër shqetësimet e shqiptarëve është edhe rritja e cilësisë së procesit zgjedhor. Në marrëveshje e kishit që do të nisnit punën ditën e parë të legjislaturës së re do të nisë puna për reformën zgjedhore.
Edi Rama: Ajo që unë dua të përsëris që marrëveshja nuk është marrëveshje, nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Marrëveshja në këndvështrimin tim i duhet këtij vendi për të hyrë me një shpejtësi të re në raport me ambiciet dhe nevojat që kanë njerëzit e këtij vendi. Është një marrëveshje, ku të gjitha palët vetëm fitojnë dhe asnjë palë nuk humbet, ndërkohë që nga konflikti, sherri, fyerjet dhe sharjet Shqipëria humbet dhe mes palëve humbet më shumë ai që i fryn më shumë asaj politike. 25 qershori e tregoi që nuk japin shqiptarët votë me atë lloj politike. Nëse do të nisesha nga interesi i ngushtë politik, kjo do të ishte gjëja më mirë që të kishim përballë një opozitë që vetëm shan dhe vetëm hedh mllef e helm, që është komplet jashtë realitetit të shqetësimeve reale të shqiptarëve. Nuk ka shans që njerëzit të vënë gishtin dhe të thonë që këta na duhen për të qeverisur. Qytetarët panë për herë të parë një proces zgjedhor, që ekzistonte kur hapje televizorin dhe mbaronte kur e fikje televizorin. Nuk kishte as banderola, as konflikte, sharje sherre dhe asgjë.
Sokol Balla: Opozita thotë që u përshkallëzua shitblerja e votës…
Edi Rama: Opozita e ka thënë këtë në çdo palë zgjedhje. Ne kemi humbur një palë zgjedhje me më pak se 1 për qind. Opozita humb zgjedhje pas zgjedhjes me thellë e më thellë dhe kjo diferencë nuk thellohet se rritet kapaciteti blerës i votave, por bie kapaciteti bindës i kësaj opozite.
Sokol Balla: Nga këto akuza nuk shpëtoi as kryetari i ri i Kuvend, fakti që mori vota nga PD. Ju nuk jeni në dijeni të kësaj skeme, nëse ka patur një skemë për të marrë vota nga PD?
Edi Rama: Ai është moment domethënës që opozita të shikojë veten. Njerëzit qeshin me opozitën. Një grup politik që pretendon të udhëheqë një vend dhe pas asaj zgjedhje del dhe thotë që nuk dërguam komisionerë për të vjedhur ne votat.
Sokol Balla: Nuk ka PS dorë në atë që ndodhi kur u zgjodh Ruçi?
Edi Rama: Di të them që nëse do të kishte marrë pjesë edhe LSI, do të kishin qenë shumë më tepër vota, thjesht sepse ajo që shumë njerëz harrojnë është që Gramozi ka në këtë Parlament që ditën e parë, njohje, lidhje, marrëdhënie dhe marrëdhëniet e Ruçit me përfaqësues të PD janë mëse të mira kur fiken dritat e ekranit. Ai është pika e referimit të PD historikisht kur vjen puna për të biseduar dhe nuk çuditem fare që aty të ketë vota njerëzish që kanë gjëra personale me të. Pastaj këta njerëz, humbën 140 mijë vota në krahasim me 4 vite më parë.
Sokol Balla: Në perceptimin e përgjithshëm ishte zgjedhja më e mirë vendosja e Ruçit, nuk kishte kandidaturë më të mirë?
Edi Rama: Jo ne, por nëse do të marrim 140 njerëz në sallë e do të thonin se cili është personi më i duhur për të drejtuar këtë Parlament, asnjë palë nuk do të mund të gjente një person më të përshtatshëm sesa deputeti me përvojën më të gjatë në atë Parlament, që kurrë në gjithë karrierën e tij nuk është shquar njëherë për retorikë luftënxitëse, flakëhedhëse, përçarëse dhe të gjitha me radhë. Edhe kur çohej ndonjëherë dhe shkonte në maksimum, “Sali, ajo partia e ime dhe e jotja…”, ky ishte maksimumi. Së treti, është i vetmi deputet që e zotëron në majë të gishtave rregulloren. E patë në momentin e parë të kontestimit për rregulloren sesi dolën bllof pasi Gramozi i orientoi drejt neneve ku duhet të lexonin.
Sokol Balla: Disa veprime të ambasadorit amerikan janë interpretuar si mosdakordësi me zgjedhjen e Ruçit?
Edi Rama: Po si nuk doli një klub mediatik dhe të thotë një të vërtetë të thjeshtë. Gramoz Ruçit i është refuzuar një vizë në vitin 2005 dhe më pak se dy muaj më pas i është dhënë viza për SHBA si i ftuar në kongresin e Partisë Republikane. Ajo ftesë në kongresin e republikanëve që nuk kishte lidhje me Gramozin, ka qenë një shprehje e të vërtetës së thjeshtë se me atë refuzim u bë një gabim. Nuk ka rëndësi, sepse kryetari i Kuvendit do të vizitojë Kongresin amerikan dhe kjo merr fund.
Sokol Balla: Kryetari i Kuvendit duhet të dorëzojë funksionet partiake?
Edi Rama: Duke njohur Gramoz Ruçin di që nuk është njeriu që akumulon mandate.
Sokol Balla: Pra zgjedhja e largon nga roli historik në PS?
Edi Rama: Absolutisht që Gramozi në këndvështrimin tim është nga ato figura që askush nuk i largon përveç vullnetit të tij. Mos u çudisni nëse Gramozi do të jetë akoma aty, ndërsa unë në kurs pikture me Zahon.
Sokol Balla: Kur fliste Monika, çfarë dëgjonit me kufje?
Edi Rama: Po shikoja CNN. Nuk ishte fare akt i qëllimshëm. Debatet i kam ndjekur me vëmendje dhe i kam dëgjuar të gjitha.
Sokol Balla: E përkëdhelët Presidentin Meta, besoni se raporti po shkon drejt normalizimit?
Edi Rama: Unë e kam thënë kur shumëkush mendonte që na priste një kataklizëm dhe kur Iliri mendonte se na priste radha e gjatë për të marrë në telefon Petrit Vasilin, që nuk i druhem fare të ardhmes në aspektin e rolit të Metës, sepse duke e njohur ja di edhe dallgën që e çon në fatkeqësi, ja di edhe sensin e përgjegjshmërisë për të kryer detyrën. Unë besoj që do të jetë si President shumë më i mirë si kryetar Kuvendi, që ka vetëm një meritë që i dha liderit legjendar mundësinë që të flasë në katër vjet, aq sa do t’i ishin dashur me një kryetar Kuvendi si Gramozi për 40 vjet.
Sokol Balla: Cilat ishin kriteret që përzgjodhët ministrat e rinj?
Edi Rama: Ato që kam thënë dhe besoj që jo unë, por çdo kryeministër që përzgjedh një ekip, ka parasysh aftësitë, përvojën, dhuntinë apo edhe kapacitetin për të qenë pjesë e një ekipi. Nga ana tjetër, në mënyrën sesi unë kam konceptuar këtë proces, qeveria është njëra pjesë e ekipit, pjesa tjetër është grupi parlamentar dhe pjesa tjetër është partia, pra skuadra që do të drejtojë gjithë përpjekjet për qëllimin e madh që kemi që t’i japim jetë një koalicioni real me njerëzit. Në fund të shtatorit besoj, do të bëjmë prezantimin e platformës së bashkëqeverisjes, që do të jetë një mekanizëm që do t’i vihet në dispozicion çdo shqiptari që ta përdorë duke patur akses në qeverisje dhe në këtë platformë do të ketë një sërë ndërveprimesh dhe deri në interpelancë të kryeministrit dhe ministrit përkatës me kërkesën e një grupi anëtarësh të këtij koalicioni.
Sokol Balla: Duket pak si populiste, nga ato që fillojnë dhe harrohen…
Edi Rama: Është një sfidë dhe qëllim shumë i madh dhe ne do të bëjmë çmos që ta realizojmë. U lutem njerëzve që të marrin pjesë në këtë proces dhe të na vendosin në provë. Kemi më shumë sesa një muaj që po punojmë për të ngritur gjithë trupën e njerëzve për platformën e qytetarëve, që do të jetë një hapësirë në kohë reale dhe do të përpunohet në kohë reale.
Sokol Balla: Ka lidhje me zotin Tahiri?
Edi Rama: Jo, koordinatori kombëtar për bashkëqeverisjen do të bëjë të gjithë pjesën që lidhet me planin, të regjistrimit dhe përfshirjes së njerëzve në këtë proces. Ne do të angazhohemi të gjithë që t’ua bëjmë njerëzve të qartë se çfarë është dhe çfarë arsyesh ka për t’u bërë anëtarë të këtij koalicioni.
Sokol Balla: Në kryeministri po përqendrohen shumë funksione, edhe tenderët po i merrni ju?
Edi Rama: Këto janë të pavërteta! Në kryeministri ka qëkur është krijuar Kryeministria ka qenë një zyrë ankesash, që është bërë si njëlloj dispeçerie, që ne do të kthejmë në një dispeceri ku nuk është thjeshtë detyra, më erdhi letra, po e çoj atje, po marr përgjigjen, por detyra është merre nga ekrani ankesën dhe ndiqe ankesën deri në fund se kush ka të drejtë dhe përgjegjësia e çdo ankese do të jetë e ministrave. Në të gjitha rastet kur ka konflikt mes kësaj zyre dhe ministrisë, ankesa do t’i shkojë ministrin dhe ministri do të marrë raportin çdo javë. Çdo qytetar në këtë raport do të jetë i kujdesur prej nesh, njësoj sikur ka mikun më të madh në qeveri, se ky është thelbi. Ne duam ta bëjmë qeverinë mikun më të madh të qytetarit. Në të gjitha rastet, kur verifikohet që qytetari ka të drejtë, punonjësi përkatës ikën nga puna menjëherë.
Sokol Balla: Keni krijuar dy superministra, Infrastrukturën dhe Financat…
Edi Rama: Kemi krijuar një mekanizëm më premtues për të bërë punët me shumë më tepër kohezion dhe shpejtësi. Ky është momenti dhe faza që mendoj se ka nevojë për këtë mekanizëm. Në një moment tjetër mekanizmi mund të ndryshojë, nuk flas për këto 4 vjet. Nuk është çështje superministrish, por ulje të një numri shumë të madh ndërveprimesh që thjesht pengojnë dhe vonojnë. Ne po mundohemi të bëjmë një ekip zv/ministrash. Zv/ministrat kanë qenë për qoka dhe të gjithë e kemi përdorur për qoka këto 27 vjet. Ne duam të bëjmë një ekip.
Sokol Balla: Kjo më shumë se zvogëlim, duket thjesht një shkartisje nga pikëpamja sasiore dhe i largoheni premtimit për një administratë më të vogël.
Edi Rama: Ne kemi administratë të vogël dhe kemi numrin më të madh të drejtorive dhe agjencive. Kemi më shumë drejtorë në raport me administratën. Ministritë nuk do të drejtohen më nga një person i vetëm, por nga një skuadër.
Sokol Balla: U penduat apo reflektuat sa i përket Ministrisë për Europën?
Edi Rama: Reflektimi është vyrtyt, nuk është dobësi. Reflektimi ka qenë shumë i thjeshtë; integrimi kalon tek Ministria e Jashtme, emërtimi që kërkohej, Ministria e Jashtme dhe Integrimit ishte banalitet në këndvështrimin tim dhe duke parë disa shembuj shumë të bukur vendosëm për Europën.
Sokol Balla: Keni hequr dorë apo mund ta konsideroni ndarjen e mandatit të deputetit nga ai ministrit?
Edi Rama: Kam hequr dorë sepse kanë ndryshuar kushtet dhe filozofia e qeverisjes është re. Kemi një qasje bazuar në parimin që nuk është thjeshtë qeveria ajo që merr përsipër gjithë barrën për të bërë gjithçka. Këtu jemi në kushtet kur kemi qeverinë, grupin parlamentar dhe partinë dhe ekipin drejtues të partisë si baza e gjithë këtij procesi. Kjo do të thotë që nuk kemi nevojë të bëjmë tërheqjen nga mandatet.
Sokol Balla: Le të themi që është më mirë kështu, pra nuk funksionoi aq mirë katër vitet e shkuara?
Edi Rama: Ajo funksionoi sa funksionoi në atë kontekst, kjo tjetra do ta testojmë.
Sokol Balla: Jo pa tension dhe ankth u kalua ai izolimi juaj në Dhërmi kur bëtë qeverinë. Mendonit që kabineti i respektoi ekuilibrat brenda partisë tuaj?
Edi Rama: Nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë një skuadër selekson që të gëzojë të gjithë rrethin e njerëzve. Nuk ekziston një kryeministër që të bëjë që të gjithë ata që potencialisht mund të jenë pjesë e kabinetit të gëzohen. Fola sot me Taulant Ballën që më çoi mesazh për të konfirmuar një fakt, më tha kryetar a keni patur një ankesë për ndarjen e komisioneve? Jo!”, i thashë. Më tha – a ju kujtohet se ç’kemi hequr katër vite më parë. Unë mendoj se sot është një fakt shumë i thjeshtë, përgjegjësia sepse kemi mundësinë të bëjmë ato që themi dhe nuk mund të themi që s’i bëjmë se dikush tjetër nuk po na lejon.
Sokol Balla: Një sondazh të Top Channel, 42 përqind e votuesve duan rritjen ekonomike
Edi Rama: Të gjitha ato, përveç integrimit janë pjesë e rritjes ekonomike. Ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë brenda këtij mandati që të kapërcejmë 5 për qind rritje ekonomike, që na jep mundësi që nga statistikë të kthehet në impakt real për çdo qytetar.
Sokol Balla: Si do ta arrini këtë? Ju pretendoni të rrisni të ardhurat, ndërkohë që do të ulni taksën progresive.
Edi Rama: Nuk rritet ekonomia duke rritur taksat. Ne kemi një sistem taksimi të konsoliduar që nuk do ta prekim. Janë disa masa që do të marrim gjatë mandatit, por që nuk përcaktojnë asgjë në volumin e madh për të cilin flasim. Ekonomia rritet me investime të brendshme dhe të huaja. Do të nisim punën për një rimëkëmbje reale të infrastrukturës kombëtare. Nuk kemi një rrugë që të ketë standarde nga fillimi në fund. E vetmja rrugë, ajo e Kombit nuk është as e përfunduar me të njëjtat standarde dhe as e sigurt deri në fund. Akset kombëtare do të jenë prioritet dhe në katër vite do të shikojmë një ndryshim rrënjësor të rrugëve kombëtare. Do të shohim investime në turizëm. Kemi një rritje të vazhdueshme të turizmit, por na duhet të ndërtojmë 1,2, 3 hotele me pesë yje. Të kapim turistët e luksit dhe për këtë kemi një plan të qartë dhe jam i bindur që do të arrijmë të hapim kantierë të tillë dhe do të kemi deri në fund të këtij mandati një numër kontratash për të tilla struktura. Na duhet të fuqizojmë bujqësinë duke mbështetur fuqimisht eksportin, që ka pësuar rritje, por ka një potencial edhe më të madh rritje. Kemi një volum të madh paraje në informalitet. Lufta do të fillojë dhe nga kjo luftë do të ketë të ardhura shtesë.
Sokol Balla: Do të ketë amnisti fiskale?
Edi Rama: Nuk do të ketë amnisti të tillë. Një pjesë e të ardhurave do të vijnë nga çuarja e tepsisë për skrap. Ne e filluam këtë me vendimin për certifikatat. Brenda 100 ditësh duhet të ketë një realizim për objektivin: asnjë dokument më shumë që u kërkohet njerëzve, sesa shteti që kërkon më pak dokumente në kontinentin tonë. Do të bëjmë një ulje drastike për dokumentet. Do të kemi ulje drastike për licencat dhe forcave në terren që vendosin gjoba. Ne kemi shumë forca në terren, por që në fakt janë banda që u bien dyerve për të marrë lekë. Do të bëjmë një reformë shumë të madhe tek inspektoratet dhe do të riorganizojmë gjithë mënyrën sesi këto struktura vihen në marrëdhënie me qytetarët. Policia gri nesër, kam kënaqësinë që nesër kjo mbaron me vendimin e ministrit të Transporteve që tërheq policët gri në kazermë. Në raport me tepsinë ne kemi tri fjalë për administratën dhe zyrat; pastrim, shërbim, ndëshkim! Pastrim i zyrave nga grabitqarët, shërbim për njerëzit nëpër zyra dhe ndëshkim për grabitqarët nëpër zyra.
Sokol Balla: Ju ngrini një skemë vetëkontrolli të qeverisë për veten e saj, nëse kjo dështon, çfarë ndodh?
Edi Rama: Ne po punojmë për ngrirjen e gjobave për një periudhë kohe, thjesht nuk do të vendosen më gjoba dhe gjithë procesi i kontrollit duhet të ndryshojë.
Sokol Balla: Bëtë “mea culpa” më të fortë sa i përket hashashit në Parlament, a ka patur ndikim në ekonomi ky aktivitet ilegal?
Edi Rama: Nuk kam një “mea culpa” dhe nuk kam bërë një “mea culpa”. Unë thjesht kam njohur kontributin e opozitës, sepse ka ndikuar që të motivohemi më shumë përballë këtij fenomeni. Nuk e kam mohuar ndonjëherë që ka patur. Çdo ndikim që të ketë në ekonomi ajo veprimtari nuk është pozitiv sepse ato para shkojnë në kanale që nuk i japin gjë rritjes së ekonomisë. Në fund të këtij sezoni korrjesh, shirjesh a si quhet, ne do të marrim një certifikatë pastërtie nga partnerët ndërkombëtarë.
Sokol Balla: Është edhe pjesë e hapjes së negociatave për integrimin…
Edi Rama: Integrimi historia jonë është të jesh një shtet, të kesh mirëqenie dhe integrimi, sipas Brukselit është pak më kompleks. Kam dëgjuar “kaloni reformën dhe do të hapin negociatat”, pastaj vettingun, pastaj “bëni edhe zgjedhjet” dhe tani kam dëgjuar një gjë interesante dhe s’e di se ku do të dalë kjo; krimi etnik shqiptar! Ne integrimi nuk na duhet për Brukselin, por për fëmijët tanë, na duhet për një shtet si ai që e kanë dashur të parët tanë dhe e duan fëmijët tanë.
Sokol Balla: Një vend ky njerëzit të mos largohen. Ka shqetësime nga Holanda dhe Franca dhe kemi një marrëveshje imponuese me këtë të fundit.
Edi Rama: Nuk kemi asnjë marrëveshje imponuese me askënd, aq më tepër që me Francën kemi nënshkruar një partneritet strategjik. Është një dokument bashkëpunimi për një problem që ka dy anë. Shqiptarët nuk janë azilkërkues, janë emigrantë që kërkojnë punë. Shqiptarët janë europianë që shkojnë në Europë për punë, njësoj siç shkojnë polakë, bullgarë etj, etj. Nuk ka shans që shqiptarët të marrin azilin në vendet e BE-së.
Sokol Balla: Sa i takon Greqisë, tonet tuaja më të zbutura, pati një jehonë deri diku më pozitive edhe në Athinë. A po lëviz diçka pozitive për mbylljen e hesapeve të pambylluara?
Edi Rama: Përpjekjet tona janë që të lëvizim pozitivisht. Ne jemi përpjekur të mos biem në nivelin e deklaratave të rënda. Ne duam me Greqinë miqësinë, respekt reciprok dhe strategjik. Ne nuk mbyllim sytë e veshët dhe bëjmë sikur nuk kuptojmë për disa çështje që janë në tavolinë që janë të një rëndësie të veçantë për interesin tonë kombëtar dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Sokol Balla: M’u duk mua apo sikur e anashkaluat çështjen çame?
Edi Rama: Ju duk juve sepse në tavolinë është ligji i luftës dhe lëvizjes së lirë për të gjithë njësoj. Është edhe çështja e varrezave. Në raport me varrezat do të kemi thjesht dhe vetëm raportin e dinjitetit human. Varreza më e madhe e pushtuesve në një vend tjetër, është ajo e nazistëve në mes të Rusisë. Kjo do të thotë dinjitet. Janë gjëra që janë në tavolinë.
Sokol Balla: A ka ndonjë gjë konkrete?
Edi Rama: Mund të them që ka një vetëdije edhe nga pala tjetër, që këto gjëra duhet të gjejnë një zgjidhje.
Sokol Balla: Një shikues pyet se përse në radhët e qeverisë nuk patët asnjë përfaqësues nga emigrantët?
Edi Rama: Dy ministrat e shtetit janë me një mision të posaçëm të një rëndësie të veçantë. Duam që më 1 janar kufiri i Shqipërisë me Kosovën të mos jetë më torturë për bashkëatdhetarët tanë, por të jetë një kufi siç është mes Italisë dhe Francës. Unë kam folur sot me zv.Kryeministrin e Parë dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës dhe besoj se do ta realizojmë. Deti ynë është deti i tyre dhe më 27 nëntor do të jemi në Korçë, më 28 Nëntor nis në Vlorë Viti i Skënderbeut.
Top Channel