Presidenti Meta pret Behgjet Pacollin

14/09/2017 00:00

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin  e  Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Presidenti Meta uroi Pacollin për krijimin e qeverisë së re të Kosovës dhe për detyrën e tij në këtë qeveri, si dhe shprehu angazhimin e tij në mbështetje të njohjeve të mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
 
Presidenti Ilir Meta përshëndeti gatishmërinë e qeverisë se re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes në rajon.
 
Kreu i shtetit shqiptar theksoi rendësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin.

“Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane”, theksoi Presidenti Meta.
 
“Shqipëria i kushton një vëmendje parësore marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën, ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin”, vijoi ai.

Top Channel