Olimpiadat 2024 dhe 2028, IOC ratifikon marrëveshjen

14/09/2017 00:00

Marrëveshja ishte arritur prej javësh: Parisi do të organizojë Lojërat Olimpike 2024, ndërsa Los Angelesi ato të 2028. Tani erdhi edhe ratifikimi nga ana e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Kongresin e tij të mbajtur ne Lima të Perusë.

Ishte një marrëveshje që ndryshoi botën olimpike, pasi për herë të parë në histori u përcaktuan në një tryezë vendet organizatore të dy edicioneve të Lojërave Olimpike dhe kjo ndodhi pasi u tërhoqen nga gara 4 kandidatura për edicionin e vitit 2024.

Për Lojërat Olimpike të 2024, Parisi ka parashikuar një buxhet prej 6.6 miliardë euro, gati gjysma e shifrës së shpenzuar për Lojërat Olimpike të Londrës në 2012. IOC do të investojë në kryeqytetin francez për këtë eveniment 1.7 miliardë dollarë, ndërkohë që për Los Angeles 2028 është parashikuar një fond prej 1.8 miliardë dollarë. Për më tepër, qyteti amerikan do të përfitojë 500 milionë dollarë të tjerë nga fonde të ndryshme investimi.

“E meritojmë këtë moment”, tha Toni Estange, fitues i medaljes së artë olimpike në garat me kanoe dhe zv/president i Komitetit Organizativ të Olimpikeve të Parisit, ndërkohë që po kaq entuziaste u shfaq edhe kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo.

“Është fitore e skuadrës. Kjo kandidaturë po kthehej në obsesion. Këto Lojëra do të ndihmojnë në shkëlqimin e vendit tonë. Është një mundësi unike, një takim me botën dhe pak edhe me veten tonë”, tha Hidalgo.

Për Parisin, ajo e vitit 2024 do të jetë hera e tretë që organizon një event si Lojërat Olimpike pas atyre të viteve 1900 dhe 1924. E njëjta histori edhe për Los Angeles, që më parë e ka pritur ngjarjen më të madhe sportive në vitet 1932 dhe 1984.

Top Channel