
“Shumë shpejt do ta mësoni se ku do të zhvillohet takimi, por unë propozova Korçën, sepse e kam shumë për zemër”. Vetëm pak minuta pas kësaj deklarate, dëshira e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, u bë realitet.
Mbledhja e radhës e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë do të mbahet në Korçë më 27 nëntor. Këtë e konfirmoi vet kryeministri Rama, pas takimit me zv.kryeministrin Pacolli.
Në të parën vizitë zyrtare që nga marrja e detyrës, ai u prit nga Ditmir Bushati, i cili e kishte po ashtu të parën pritje në cilësinë e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Diplomacia ekonomike, sipas ministrit Bushati është fokusi i këtij mandati, e për këtë ai kishte një ftesë edhe për ministrin Pacolli.
“E ftova presidentin Pacolli edhe në një aktivitet që ne do të bëjmë për diplomacinë ekonomike, duke pasur parasysh që barrën e madhe mbi supe në vite, tërë eksperiencën private dhe publike, për të na ndihmuar kësisoj për të orientuar pak edhe kompasin e Shërbimit tonë të Jashtëm drejt këtij segmenti shumë të rëndësishëm të diplomacisë”, u shpreh ministri Bushati.
Më pas, ministri Pacolli u ndal në Presidencë, ku u takua me kreun e shtetit Ilir Meta, i cili e përgëzoi për detyrën e re, duke vlerësuar edhe angazhimin e tij personal në njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Top Channel