
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, kreu i shtetit Ilir Meta është takuar me kryetaren e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin italian, Laura Boldrini.
Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që zonja Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eleminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian.
Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e UNHCR-së në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Ata ranë dakord për nevojën e nxitjes së iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë për ta dhe familjet e tyre.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta dhe zonja Boldrini ia kushtuan edhe bashkëpunimit rajonal dhe progresit të deritanishëm të këtij bashkëpunimi.
Top Channel